Vlerësimi më i lartë në arsim, i kalon 4 mësuesve që do të garojnë në Global Teacher Prize

Tiranë, 9 Tetor 2018 – Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE),  Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë shpallën sot fituesit e Çmimit Kombëtar “Mësuesi i Vitit 2018”. Çmimin e Madh Kombëtar “Mësuesi i Vitit 2018” dhe çmimin fitues për kategorinë “Mësuesi/e e Vitit Avokues për të Drejtën për Arsim”, e mori znj. Liljana Luani.
Kategoritë kryesore të vlerësimit në të cilat morën pjesë mësuesit janë: Mësuesi i Vitit në Mësimdhënie; Mësuesi i Vitit  Avokues për të Drejtën për Arsim; Mësuesi i Vitit në Inovacion; Mësuesi i Vitit si Kontribues në Arritjet Akademike të Shkollës. Në muajin maj të këtij vit u hap faza e aplikimeve për titullin “Mësuesi i Vitit” të ndarë në 4 kategori, dhe pas vlerësimit u shpallën 12 finalistët, prej të cilëve erdhën edhe mësuesit fitues.
Juria e përbërë nga figura të shquara të botës akademike, figura publike, gazetarë, përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, vlerësoi mësuesit nga arritjet e rezultateve të të nxënit në klasë, përdorimin e praktikave mësimore inovative, aftësimi i fëmijëve për tu bërë qytetarë globalë, inkurajimi i mësuesve për të qëndruar në profesion, kritere këto të caktuara nga Global Teacher Prize dhe të njehsuara me kriteret e Fondacionit Varkey.
Ministrja e Arsimit, Znj. Lindita Nikolla, vlerësoi nismën e përbashkët “Çmimi Kombëtar Mësuesi i Vitit” si kompeticionin më të rëndësishëm për vlerësimin dhe shpalljen e mësuesit të vitit. Sipas saj, pjesëmarrja e mësuesve në këtë garë është një vlerë e shtuar për vetë ata, kolegët e tyre dhe mbetet një standart i ri për të kthyer sytë më shumë te mësimdhënia.
Ndërsa Koordinatorja e Koalicionit për Arsimin në Shqipëri, znj. Linda Pino, theksoi punën e palodhur që bëjnë çdo ditë këta mësues me nxënësit dhe njëkohësisht i ftoi të ndajnë pjesë nga sukseset e tyre duke frymëzuar kështu me qindra- mijëra mësues të tjerë në mbarë vendin.
Mësuesit që u vlerësuan me çmimet fituese janë;

Znj. Liljana Luani, Çmimi i Madh Kombëtar “Mësuesi I Vitit 2018” dhe çmimi i parë për kategorinë “Mësuesi/e e Vitit Avokues për të Drejtën për Arsim”.
Znj. Erviola konomi, për kategorinë “Mësuesi/e e Vitit në Inovacion”
Z. Klodian Zaka, për kategorinë “Mësuesi/e e Vitit që Kontribuon për Arritjen Akademike të Nxënësve”
Znj. Valbona Shkëmbi, për kategorinë “ Mësuesi/e e Vitit në Mësimdhënie”

Mësuesit fitues kanë aplikuar në garën më të madhe me mësues nga e gjithë bota në Çmimin Botëror për Mësuesin (Global Teacher Prize).
Çmimi Botëror për Mësuesin, i cili është vlerësuar nga media si Çmimi “Nobel në Mësimdhënie”,  është një inisiativë e ndërmarrë nga Fondacioni Varkey, i cili vlerëson profesionin e mësuesit si dhe zbulon me mijëra histori të mësuesve të cilët kanë dhënë një kontribut në transformimin e jetëve të fëmijëve dhe të rinjve. Ky është i dyti vit radhazi që Shqipëria është pjesë e kësaj gare të rëndësishme për arsimin në të gjithë botën.


Detajet e Lajmit
October 9, 2018
416
Kategoria