
Tiranë, 16 Tetor 2020 – Shqipëria, më në fund mund të jetë vendi i radhës që do të bëhet pjesë e Sinjalizuesit AMBER, një sistem bashkëkohor ky në ndihmë të fëmijëve të humbur, të rrëmbyer, ata që largohen nga shtëpia apo edhe viktimat e tarfikimit e shfrytëzimit seksual.
Drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Qendrës për të drejtat e Fëmijëve – CRCA/ECPAT Shqipëri, zhvilluan një takim konsultues për të diskutuar në mënyrë thelbësore të gjitha hapat që duhet të ndërmerren nga institucionet për zbatimin e sinjalit AMBER.
Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me probleme në Europë në lidhje me mungesën e masave për mbrojtjen e fëmijëve të humbur, të shfrytëzuar dhe të trafikuar për qëllime seksuale. Ndërkohë që pjesa më e madhe e vendeve Europiane kanë vite tashmë që zbatojnë Sinjalin Amber, sa herë që një fëmijë humbet dhe dyshohet se është në rrezik për jetën. Sinjali Amber është një sinjal që lëshohet çdo herë kur besohet se një fëmijë i humbur është në rrezik të jetës apo të shfrytëzimit seksual.
Sipas të dhënave të vetë Policisë së Shtetit, çdo tre ditë në Shqipëri humbet një fëmijë ose përafërsisht rreth 120 fëmijë në vit! Sistemi i njohur AMBER Alert, do të mundësojë ndryshimin e veprimeve dhe protokolleve të punës në punën e Policisë së Shtetit dhe të gjithë faktorëve të tjerë që përfshihen në këtë fushë për të marrë në mbrojtje fëmijët e humbur, të larguar, të rrëmbyer apo edhe të trafikuar e shfrytëzuar.
Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, duke nënvizuar rëndësinë e madhe që ka krijimi i këtij sistemi në vendin tonë, theksoi se “Së bashku me partnerët tanë Global Missing Children Network, Amber Alert Foundation dhe Lëvizjen Kombëtare #NEJEMI1, do të jemi në krah të Policisë së Shtetit për të bërë të mundur mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë e shfrytëzimit seksual, trafikimit apo rreziku që paraqitet.”
CRCA/ECPAT Shqipëri, është anëtare me të drejta të plota e AMBER ALERT EUROPE, që prej Qershorit të këtij viti, duke e bërë Shqipërinë vendin e 23-të në një prej platformave më të mëdha dhe më të suksesshme të kërkim- shpëtimit të fëmijëve të humbur në Europë.
Për më tepër informacion mund të kontaktoni në:
Qendra Kombëtare e Fëmijëve të Humbur Shqipëri
CRCA/ECPAT Albania
E-mail: crca@crca.al