Tiranë, 12 Qershor 2024 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri) dhe Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët (ALO 116), dy organizatat kryesore për të drejtat e fëmijeve në vend, me anë të kësaj deklarate publike, duan të çojnë shqetësimin e tyre serioz për përhapjen e gjerë të fenomenit të shfrytëzimit për qëllime ekonomike dhe seksuale të fëmijëve dhe mungesës së vemendjes së autoriteteve publike në nivel qendror dhe vendor për të zbatuar programe të fuqizmit të fëmijës dhe familjes.

Të dhënat e Linjës së Telefonit të Ndihmës për Fëmijët për vitin e fundit, tregojnë se nga vite 2017, raportimet për shfrytëzimin e fëmijëve për punë u rritën me 40 përqind. Vetëm në vitin 2023, ALO regjistroi 389 të fëmijëve të shfrytëzuar për punë. Vetëm për periudhën Janar-Maj 2024, janë rapotuar 159 fëmijë të shfrytëzuar. Këto janë vetëm një pjezës e vogël e tablosë së shfrytëzimit të fëmijëve për punë apo për qëllime seksuale në Shqipëri.

Nga ana tjeter, ne përballemi me një mungesë të të dhënave dhe shifrave mbi shfrytëzimin e fëmijëve për qëllime ekonomike dhe seksuale nga instititucionet publike përgjegjëse. Që prej më shumë se 10 vjetësh, asnjë institucion nuk ka publikuar të dhëna mbi shfrytëzimin e femijeve për qëllime ekonomike apo seksuale. Raporti i fundit mbi këtë çështje i përket vitit 2010 (INSTAT / ILO), i cili tregoi se rreth 7 përqind e fëmijëve shfrytëzoheshin për punë, shumica e tyre në punë familjare.

Shqipëria është vendi i tretë më i varfër në Europë! Por ndërsa të gjitha shtetet e tjera zbatojnë programe kombëtare që asnjë fëmijë të mos rritet në varfëri, Shqipëria asnjëherë nuk ka patur një program të tillë, ndonëse shoqëria civile prej mbi 20 vjet e ka kërkuar këtë gjë. Skema e ndihmës ekonomike (ndihma në të holla) asnjëherë nuk u ideua nga Qeveria si një program kombëtar për të larguar njerëzit nga varfëria dhe për të shërbyer si një rrjetë mbrojtëse për çdo individ dhe familje në risk. Ajo u dha dhe ende jepet si një lëmoshë për të mbajtur dhe zgjatur varfërinë e tejskajshme të familjeve që bëhen pjesë e saj. Ndonëse skema zbatohet që prej vitit 2006, nuk ka asnjë raport serioz dhe të pavarur të efektshmërisë së saj në uljen apo largimin nga varfëria të familjeve përfituese të saj.

Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë, sidomos i sektorit të turizimit, gjatë dy viteve të fundit, është një mundësi e mirë për vendin për të adresuar disa nga problemet madhore, si varëfria, pabarazitë në zhvillimin e komuniteteve dhe zonave të deprivuara. Analiza e buxhetit të shtetit përgjatë viteve të fundit, tregon për një ulje të vëmendjes dhe investimeve nga ana e Qeverisë për fëmijët dhe të rinjtë. Buxheti i shtetit, përtej premtimeve, ka ardhur duke u ulur nga viti në vit, si në drejtim të kujdesit dhe mbrojtjes sociale, ashtu edhe të arsimimit të fëmijëve, dy fusha ku studimet tregojnë se investimet gjithmonë sjellin përfitime 3-5 herë më shumë për shtetin dhe për shoqërinë. Mungesa e indikatorëve për fëmijë e bën edhe më të vështirë matjen e investimeve të bëra nga buxheti i shtetit apo nga Bashkitë për fëmijët, një tjetër tregues ky i mungesës së vëmendjes përkundrejt fëmijëve.

Shqipëria sot përballet me mungesë serioze të forcës punëtore për shkak të migracionit të lartë rinor drejt vendeve të BE-së dhe zhvillimit të madh që ka marr sektori i turizmit. Sidoqoftë, baza e zhvillimit të ekonomisë mbetet ende biznesi i vogël familjar, i cili në mungesë të krahut të punës, zgjidhjen mund ta gjejë tek punësimi i fëmijëve dhe adoleshentëve brenda rrethit të gjerë familjar. Kjo favorizohet edhe nga traditat dhe praktikat kulturore, ku fëmijët duhet të punojnë që më herët për të ndihmuar familjen.

Studimi i përbashkët i ECPAT Shqipëri dhe ECPAT Gjermani (viti 2022) mbi mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual në sektorin e udhëtimeve dhe turizmit, tregon se Shqipëria ka mangësi serioze në shumë aspekte dhe se shfrytëzimi i fëmijëve si për punë ashtu edhe për qëllime seksuale, ështrë tashmë një realitet. Pavarësisht se ky shqetësim u afirmua edhe nga Rekomandimet Përfundimtare të Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve të OKB-së në Gjenevë (Shtator 2023), autoritetet deri më sot nuk kanë marr asnjë masë për të adresuar këto shqetësime serioze. Në bindjen tonë, mungesa e masave dhe programeve në ndihmë dhe mbështetje të familjeve, sidomos në nivel lokal, rrezikon ta kthejë vendin tonë në një oaz të shfrytëzimit ekonomik dhe seksual të fëmijëve dhe adoleshentëve!

Nisur nga kjo, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ALO 116-111 rekomandojmë marrjen e këtyre masave:

  1. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si institucioni përgjegjës për fëmijët, duhet të fillojë menjëherë diskutimet për përgatitjen dhe miratimin e Garancisë së Fëmijëve.
  2. Pjesë e Garancisë së Fëmijëve duhet të jetë edhe Plani Kombëtar për Eleminimin e Punës së Fëmijëve, Skema e Mbështetjes Financiare për Fëmijë si dhe ofrimi i të paktën një vakti të ngrohtë falas për çdo fëmijë që ndjek kopshtin dhe shkollën;
  3. Bashkitë mbajnë përgjegjësinë kryesore për ngritjen e shërbimeve shoqërore për kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të familjes. Mungesa e këtyre shërbimeve lidhet ngushtë me shfrytëzimin e fëmijëve për punë dhe mungesën e mbrojtjes ndaj tyre. Në këtë kuadër Fondi Social, pore dhe ligji për shërbimet shoqërore, duhet ta vendosin detyrime për krijimin e shërbimeve bazë të detyrueshme për çdo bashki.
  4. Kuvendi i Shqipërisë duhet urgjentisht të ratifikojë Konventën Nr. 189 të ILO-s në lidhje me Punëtorët në Familje, një instrument i ri ndërkombëtar që kërkon ndalimin e punës ë fëmijëve në familje;
  5. Prokuroria e Përgjithshme së bashku me Policinë e Shtetit dhe Agjensinë për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, duhet të nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi, ku çdo rast i shfrytëzimit të fëmijëve për punë do të ndiqet penalisht dhe të gjithë shfrytëzuesit duhet të sillen përpara drejtësisë. Vetëm një bashkëpunim i ngushtë dhe zbatim rigoroz i Kodit Penal, do të mund të ndalojë shfrytëzimin e fëmijëve për qëllime ekonomike dhe seksuale.

Qeveria Shqiptare ka për detyrë që të ofrojë mbrojtje, kujdes dhe Zhvillim për çdo fëmijë, pavarësisht gjendjes sociale apo ekonomike të prindërve apo familjeve të tyre. Ky ëshhtë jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe një objektiv që e sjell Shqipërinë më afër standarteve të Bashkimit Europian. Ne shpresojmë që kjo deklaratë të jetë një këmbanë alarmi dhe një thirrje zgjimi për të gjitha institucionet publike dhe zyrtarët mbi rreziqet që fëmijët dhe të rinjtë përballen çdo ditë në Shqipëri. Ne ftojmë Qeverinë dhe të gjitha partitë politike parlamentare të kthejnë sytë nga fëmijët! Ata nuk mund të jenë e ardhmja nëse nuk janë e sotmja!


Detajet e Lajmit
June 12, 2024
291
Kategoria