Tiranë – 25 Maj 2023 – Pas një viti pune përgatitore, Shqipëria është gati të shpallë Sinjalin Amber. Sinjali Amber është një njoftim i lëshuar nga policia, për të angazhuar institucionet e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së fëmijëve, OSHC-të dhe të gjithë komunitetin në gjetjen dhe rikuperimin e një fëmije të humbur ose të zhdukur. Njoftimi u bë publik nga CRCA/ECPAT Shqipëri në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur.

Qendra Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur dhe të Shfrytëzuar (ICMEC) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, me mbështetjen e Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) pranë Ambasadës Amerikane në Shqipëri dhe me financim nga Departamenti Amerikan i Shtetit, gjatë kësaj periudhe kanë zhvilluar takime të përbashkëta informuese dhe përgatitore për funksionimin e Amber Alert, si dhe kanë hartuar protokollet e punës që do të zbatohen nga Policia. Nga ana tjeter kompania globale Meta ka mbështetur zbatimin e sistemit të alarmit dhe ka rënë dakord që të bashkojë forcat me Policinë e Shtetit për të shpërndarë njoftimet e alarmit për fëmijët e humbur.

Gjatë kësaj periudhe, partnerët po punojnë për trajnimin e oficerëve të policisë dhe zyrtarëve të mbrojtjes së fëmijëve mbi funksionimin e përgjithshëm të Sinjalit, duke përfshirë provat praktike të lëshimit të sinjalit, koordinimin me partnerët, etj. Trajnuesit janë ekspertë të fushës që vijnë nga SHBA, Greqia dhe Shqipëria. Qëllimi është që të forcohet puna e organeve ligj-zbatuese në mbrojtjen e fëmijëve në situata me rrezik të lartë, veçanërisht fëmijët që zhduken ose rrëmbehen, të cilët janë në rrezik më të lartë shfrytëzimi ose trafikimi.

Për Policinë e Shtetit, patja e Sinjalit Amber është jashtëzakonisht e rëndësishme. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka ngritur një grup pune me pjesmarrjen e departamenteve të ndryshme të policisë, për të mbështetur zbatimin e Sinjalit nga ana e policisë në Shqipëri.

Alarmi do t’i mundësojë publikut që të mbështesë policinë në gjetjen e fëmijëve të humbur duke shpërndarë informacione për fëmijën dhe rrëmbyesin e mundshëm, për të gjetur sa më shpejt dhe në mënurë të sigurtë fëmijën që ka humbur. Ekspertiza që po i jepet Policisë së Shtetit do të ndihmojnë në bërjen e hetimit policor më të shpejtë dhe më efikas.

CRCA/ECPAT Albania ka avokuar për zbatimin e Sinjalit Amber përgjatë 13 viteve të fundit. Shqipëria do të jetë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do të zbatojë sinjalin, duke shërbyer si një shembull pozitiv për të gjithë rajonin. Në Europë, janë 20 vende që zbatojnë Sinjalin Amber për fëmijët e humbur.

Sinjali Amber u krijua në vitin 1996 në SHBA, pas humbjes së një vajze 9-vjeçare, Amber Hagerman, e cila u rrëmbye dhe më pas u gjet e vrarë në Teksas. Humbja e Amber zgjoi shoqërinë, institucionet dhe ligjvënësit amerikanë, të cilët së bashku vendosën të krijonin një sinjal emergjence njoftimi, sa herë që një fëmijë i humbur mendohet të jetë në rrezik për jetën ose të shfrytëzimit.

 
Për më shumë info, kontaktoni:

 
CRCA/ECPAT Shqipëri

E-mail: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
May 25, 2023
924
Kategoria