ACA: Shërbime të integruara për viktimat e dhunës seksuale!

Tiranë, 23 Tetor 2019 – Sot në mëngjes u hap zyrtarisht Qendra Kombëtare e Shërbimeve të Integruara për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Adoleshentëve nga Dhuna Seksuale (ACA), si një mjedis që sjell në një vend të vetëm shërbimet e kujdesit shoqëror, këshillimin dhe mbrojtjen ligjore për fëmijët dhe adoleshentët që i kanë mbijetuar dhunës seksuale.
“Sot jemi në një moment historik të shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga dhuna seksuale – tha Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i CRCA Shqipëri – Hapja e ACA është vetëm fillimi i një transformimi tërësor të sistemit dhe ndërtimit të një modeli të ri kujdesi për çdo viktimë të dhunës seksuale në Shqipëri.”
Sipas studimit më të madh për dhunën ndaj fëmijëve në Europe (BECAN),  rreth 11% e fëmijëve në Shqipëri janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale, ndërsa vrojtimi kombëtar i INSTAT “Dhuna ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri”, raportoi se rreth 15 % e vajzave të moshës 18-24 vjeç përjetojnë dhunë seksuale aktualisht.  Indeksi Global “Jashtë Hijeve” i The Economist Intelligence UNIT, në analizën e tij mbi 40 vende të botës i dha zero pikë Shqipërisë për shkak të mungesës së mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe dhuna seksuale.
Deri më sot në Shqipëri nuk ekzistojnë qendra që të ofrojnë shërbime multi-disiplinare dhe të integruara për fëmijët dhe adoleshentët-viktima të dhunës seksuale, si: këshillimi, avokatia, ndihma mjekësore dhe hetimin penal. Studimet dhe eksperienca në shumë vende, ka treguar se kur fëmijët dhe adoleshentët, viktima të dhunës seksuale, intervistohen nga punonjësit e policisë, nga psikologu e më pas prokurori, gjykatësi apo edhe persona të tjerë, ata ri-jetojnë traumën e tyre disa herë, gjë që shkakton pasoja serioze në shëndetin mendor dhe fizik të tyre.
Qendra Kombëtare e Shërbimeve të Integruara për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Adoleshentëve nga Dhuna Seksuale (ACA), do të bëjë të mundur informimin, ndërgjegjësimin, këshillimin, duke mbështetur, referuar dhe denoncuar çdo rast dhune të fëmijëve dhe adoleshentëve.  Të gjitha këto shërbime do të vijnë në mënyrë të koordinuar ndërmjet ACA dhe Zyrës së Mbrojtjes Ligjore për Fëmijët dhe të Rinjtë e Pamundur në Shqipëri (FLA), Linjën Kombëtare të Këshillimit për Fëmijë ALO 116, Platformën Kombëtare për Internet të Sigurt për Fëmijët, shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve, shërbimit social, shëndetësisë, Policinë e Shtetit dhe sistemin e drejtësisë.
ACA, ndërkohë ka marrë përsipër trajnimin dhe mbështetjen për të gjithë punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve, organeve ligj-zbatuese dhe atyre të drejtësisë, si dhe do të ndihmojë publikun në edukimin mbi dhunën seksuale, njohjen e pasojave të tij dhe rritjen e numrit dhe lehtësimin e mënyrës së raportimit.
Qendra Kombëtare e Shërbimeve të Integruara për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Adoleshentëve nga Dhuna Seksuale (ACA), vjen në kuadër të nismës “Mbro fëmijët dhe të rinjtë nga dhuna seksuale në Shqipëri”. CRCA prej 23 vitesh ka ngritur disa nga shërbimet më të domosdoshme në mbrojtje të fëmijëve dhe të të rinjve, dhe që prej vitit 2011 është liçensuar për të ofruar të tilla shërbime të specializuara në nivel komunitar dhe kombëtar. 
Për më tepër informacion, kontaktoni:
ACA Shqipëri
Email: aca@crca.al
Tel: 04 2265741
Cel: +355672075330


Detajet e Lajmit
October 23, 2019
322
Kategoria