Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, mbi 140 përfaqësues nga Kuvendi, shoqëria civile dhe organizatat e vajzave, diskutojnë mbi përfshirjen e tyre në politikë dhe vendim-marrje

Tiranë, 12 Tetor 2018 – Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, Kuvendi i Shqipërisë, në kuadër të Fushatës Globale #Girl2Leader, mirëpriti 25 vajza dhe 15 ambasadore, pjesë e politikës dhe shoqërisë civile, akademisë dhe medias. Rreth 140 përfaqësues të organizatave të vajzave, politikës shqiptare, trupit diplomatik në vend dhe shoqërisë civile ishin pjesë e Samitit të Vajzave që u zhvillua për herë të parë në Shqipëri.
Samiti, u organizua falë bashkëpunimit të ngushtë të Aleancës së Grave Deputete, Koalicionit për Arsimin në Shqipëri (ACE), Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë (ANYN), Qendra për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA), dhe Parlamentit Rinor Tiranë.
Ambasadoret e Samitit mirëpritën vajzat e reja të moshave nga 15-21 vjeç dhe i inkurajuan ato që të marrin në konsideratë pjesëmarrjen e tyre në vendim-marrje. Ato ndanë historitë e tyre frymëzuese me vajzat dhe të gjithë të ftuarit, si dhe eksperiencat e tyre në fushën e politikës, akademisë, gazetarisë, apo edhe mësuesisë. Eventit iu bashkuan edhe Avokatja e Popullit, zv. Ministret e Arsimit dhe të Shendetësisë, Kryetarja e Agjensisë Shtetërore të Mbrojtjes së Fëmijëve si edhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Samiti i 1 i Vajzave në Shqipëri, u përshëndet në mënyrë të veçantë edhe nga Parlamenti Europian, i cili duke uruar mirëseardhjen e vendit tonë në fushatën globale #Girl2Leader, transmetoi mesazhin e rëndësisë së përfshirjes së vajzave në jetën politke të vendit. Samiti, nuk do të ndalet vetëm me një aktivitet, por ai do të vijojë përgjatë gjithë vitit.
25 vajzat përfituese të Samitit do të mentorohen nga ambasadoret e tyre, duke marrë eksperiencë jo vetëm për punën e tyre, por edhe duke fuqizuar kapacitetet për të qënë një pjesë kyçe në vendimarrje, një fuqi në komunitet dhe një shembull i politikës së mirë në shoqëri.
Një shtyllë mbështetëse e këtij Samiti, ishin edhe mediat sociale që luajtën një rol të rëndësishëm në shtrirjen e fushatës nëpërmjet postimeve me hashtag #Girl2Leader dhe #Girl2leaderAL në Twitter, Facebook dhe Instagram. Ndërkohë organizatorët e fushatës #girl2leader në përfundim të fushatës globale, ftuan Shqipërinë që të organizojë vitin e ardhshëm Samitin e 2-të të vajzave dhe fushatën kombëtare në mbështetje të pjesmarrjes së vajzave në vendim-marrje në të gjitha nivelet.
Për informacione të mëtejshme, ju lutem kontaktoni:
Ervjola Osmanaj
Presidente e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN)
E-mail: ervjola.osmanaj@crca.al
 


Detajet e Lajmit
October 12, 2018
429
Kategoria