
Tiranë, 18 Tetor 2018 – ECPAT Shqipëri dhe Qendra për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA), në Ditën Europiane Kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore kërkojnë të ndajnë publikisht shqetësimin e tyre për rritjen e ndjeshme të numrit të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri dhe punën e dobët të policisë së shtetit për të parandaluar trafikimin e fëmijëve nga Shhqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas Qendrës “Vatra”, vetëm gjatë vitit 2017 ka patur 44 raste të reja, rreth 30 % më tepër krahasuar me një vit më parë. Nga këto, rreth 59 % e rasteve përdoren për shfrytëzim seksual, ndërsa 41 % e tyre për shfrytëzim për lypje, etj. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, ndau shqetësimin kryesortë ngritur edhe nga CRCA Shqipëri, se ”trafikantët gjithnjë e më shumë po përdorin mediat sociale për të rekrutuar viktimat. Fëmijët shpesh detyrohen të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar.Qeveria Shqiptare raportoi më pak ndjekje penale dhe gjykime dhe autoritetet vazhduan të hetojnë dhe ndjekin penalisht disa trafikantë për krime të vogla si shfrytëzimi i prostitucionit.”
Në Ditën Europiane kundër trafikimit të qënieve njerëzore, EUROPOL bëri publik raportin e tij më të fundit, ku ndahet shqetësimi se krimi shqip-folës, në shumë vende të Bashkimit Europian po shfrytëzon fëmijët e trafikuar nga Shqipëria. Në raport theksohet “se grupet kriminale Shqiptare, trafikojnë djem të rinj në moshën 12 deri në 15 vjeç në BE dhe më pas i detyrojnë ata të punojnë në larjen e makinave pa pagesë. Fëmijët jepen nga familjet e tyre në Shqipëri dhe Kosovë, të cilët i paguajnë kontrabandistëve rreth 10,000 euro, me premtimin që fëmijës së tyre do ti jepet një e ardhme më e mirë në BE. Të miturit transportohen ilegalisht në Evropën Jugore dhe më pas udhëtojnë përmes ajrit dhe detit në Evropën Perëndimore. Ky rrjet kriminal ka njesi të vendosura në shtete të ndryshme anëtare të BE-së, duke përfituar nga pagesa paraprake e familjeve, por edhe nga shfrytëzimi i punës së të miturve.”
Më tej Raporti i Europol citon se: “Një grup kriminal shqipfolës planifikonte rrëmbimin e fëmijëve për birësime të paligjshme. Një prej shqetësimeve të veçanta në lidhje me këtë rrjet ishte dimensioni gjeografik i grupit, pasi të dyshuarit u gjetën të kenë kontakte me njerëz në disa vende të BE-së, Indi dhe Vietnam që organizojnë skema potenciale të adoptimit të paligjshëm.”
Me përjashtim të Ministrisë së Brendshme që publikon vetëm të dhënat e arrestimeve të trafikantëve të fëmijëve, asnjë institucion tjetër shtetëror në Shqipëri nuk ka publikuar të dhëna për numrin e fëmijëve dhe të rinjve të trafikuar. Të dhënat nga raportet zyrtare të shteteve të BE-së dhe të organizatave ndërkombëtare përllogarisin se janë mbi 5000 fëmijë të trafikuar, të kontrabanduar dhe të pashoqëruar nga Shqipëria. Megjithatë edhe këto të dhëna duken të pjesshme, po të krahasojmë të dhënat e raportuara nga Mbretëria e Bashkuar, ku vetëm gjatë dy viteve të fundit janë raportuar më shumë se 1500 fëmijë nga Shqipëria të trafikuar dhe kontrabanduar drejt këtij shteti, shumica e tyre fëmijë-vajza.
CRCA Shqipëri, si e vetmja organizatë vendase që është pjesë e e Platformës së Bashkimit Europian, për parandalimin e trafikimit të qënieve njerëzore, në Ditën Europiane kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore kërkon të ri-ngrerë me forcë shqetësimin mbi mungesën e vëmendjes së duhur dhe të investimeve të Qeverisë për parandalimin dhe eleminimin e trafikimit të fëmijëve nga Shqipëria dhe sidomos për mbështetjen e plotë për shërbimet shoqërore dhe ato parandaluese.
Në Ditën Europiane kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore, ne kërkojmë sa më poshtë:
Kuvendit i Shqipërisë të miratojë me urgjencë ndryshimet ligjore në Kodin Penal mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë shfrytëzimi dhe abuzimi.
Qeveria shqiptare duhet të përgatisë, konsultojë dhe miratojë me prioritet Planin Kombëtar të Veprimit për eleminimin e Trafikimit dhe Shfrytëzimit të Fëmijëve në Shqipëri;
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Bashkitë kudo në vend, në buxhetin e tyre të vitit 2019, duhet të planifikojnë financimin e shërbimeve kombëtare dhe komunitare, shërbimet mbështetëse arsimore etj, si shërbime që mund të garantojnë mbrojtjen e fëmijëve nga trafikimi dhe shfrytëzimi;
Fondi Social, që do të ngrihet për herë të parë në vitin 2019, duhet të financoje me prioriotet Shërbimet e Emergjencës së mbrojtjes së fëmijëve nga trafikimi dhe shfrytëzimi, përfshi këtu edhe shërbimet ligjore falas, riintegruese, strehëzat etj.
Shqipëria, ende edhe sot e kësaj dite ka mungesë të shërbimeve shoqërore për rehabilitimin e fëmijëve dhe të rinjve viktimave të shfrytëzimit, dhunës seksuale, trafikimit etj. Nisur nga kjo, CRCA Shqipëri, po punon për hapjen e Qendrës së parë Kombëtare për rehabilitimin dhe mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale. Një ndër qëllimet e Qendrës, do të jetë edhe asistenca dhe mbështetja e fëmijëve dhe të rinjve viktima të trafikimit të shfrytëzuar për qëllime seksuale. Shërbime këto, kaq shumë të munguara në Shqipëri, që duhet të gjejnë edhe mbështetjen financiare të shtetit dhe investimet e tij, për të bërë të mundur asistimin e të gjithë viktimave, kudo ku ata janë.