Tirana mikpriti trainimin dy-ditor të zyrtarëve të zbatimit të ligjit dhe në mbrojtje të fëmijëve për të testuar hapat për funksionim e Sinjalit Amber në Shqipëri

Tiranë, 14 Qershor 2023 – Shqipëria është një hap më afër krijimit të Sinjalit Amber për fëmijët e humbur. Në 13-14 Qershor u mbajt në Tiranë trainimi përfundimtar i rreth 30 punonjësve të policisë, të cilët vinin nga të 12 drejtoritë e policisë në vend, si dhe e punonjësve të linjës së parë në mbrojtje të fëmijëve. Trainerët vinin nga SHBA, Greqia dhe Shqipëria, me eksperiencë të gjatë në mbrojtjen dhe gjetjen e fëmijëve të humbur.

Trainimi u organizua nga Qendra Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur dhe të Shfrytëzuar (ICMEC), së bashku me CRCA / ECPAT Shqipëri, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Të tre partnerët kanë mbi një vit që punojnë së bashku, me mbështetjen e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, për zbatimin e Sinjalit AMBER.

Trajnimi u fokusua tek forcimi dhe rritja e aftësive teorike dhe praktike për Policinë e Shtetit dhe punonjësve në mbrojtje të fëmijëve mbi çështjen e fëmijëve të humbur apo të zhdukur dhe në mënyrë të posaçme mbi funksionimin e Sinjalit të Alarmit AMBER. Trajnimi trajtoi çështjen e fëmijëve të humbur në Shqipëri, në nivel rajonal dhe global, për të diskutuar më pas sistemet dhe praktikat aktuale duke u fokusar në sistemin e Sinjalit Amber, protokollet që duhen ndjekur, ushtrime praktike për të testuar funksionimin e sinjalit etj.

Në Shqipëri thjuajse çdo vit humbin apo largohen nga shtëpia 100-120 fëmijë dhe adoleshentë, të cilët shpesh gjenden në situate të rrezikut të jetës apo sigurisë së tyre. Sinjali AMBER është një sistem i shpejtë i deklarimit të emergjencës për fëmijët e humbur. Ai është  një partneritet vullnetar midis organeve të zbatimit të ligjit, mediave, agjencive të transportit dhe institucioneve / organizatave të fëmijëve, që punojnë së bashku për të shpërndarë njoftimin urgjent për fëmijët e humbur. Qëllimi i Sinjalit AMBER është që të nxisë komunitetin / komunitetet menjëherë për të ndihmuar në kërkimin dhe rikuperimin e sigurt të një fëmije të humbur.

Sinjali AMBER u krijua në vitin 1996 pas rrëmbimit dhe vrasjes së 9-vjeçares Amber Hagerman në SHBA. Sot, Sinjali AMBER është një sistem i njohur ndërkombëtar, që drejton palët kryesore të interesuara, të cilat përfshijnë organet ligj-zbatuese, institucionet qeveritare, OJQ-të, median (TV, radio), agjencitë e transportit, ofruesit e shërbimeve të internetit, kompanitë e mediave sociale e shumë të tjerë, për të bërë të mundur transmetimin e sinjalit, që i mundëson publikun të marrë pjesë në kërkimin e fëmijës së zhdukur / të humbur / të rrëmbyer etj.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

CRCA/ECPAT Shqipëri

crca@crca.al


Detajet e Lajmit
June 19, 2023
978
Kategoria