Tiranë, 1 Maj 2015 – Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve – CRCA Shqipëri mbylli sot fazën e parë të mobilizimit të komuniteteve në mbështetje të iniciativës “Çdo fëmijë Rom në kopsht”. Mobilizimi i komuniteteve për arsimin e fëmijëve rom ka për qëllim të krijojë mekanizma dialogu ndërmjet qytetarëve dhe autoriteteve vendore, për të nxjerrë në pah dhe identifikuar problemet dhe sfidat që hasin fëmijët e komunitetit rom, duke propozuar zgjidhje dhe rekomandime për pushtetin vendor në Shqipëri dhe kandidatët në kuadër të zgjedhjeve lokale 2015.
Në 21 Qershor, në të gjithë Shqipërinë zhvillohen zgjedhjet lokale për kryetarët e Bashkive në të gjithë Shqipërinë. Këtë vit elektoral CRCA Shqipëri, në kuadër të iniciativës “Çdo fëmijë rom në kopsht” mbështetur nga UNICEF Shqipëri, ka ndërmarrë realizimin e “Mobilizimit të komuniteteve për arsimin e fëmijëve rom” në qytetet e Tiranës, Korçës, Elbasanit dhe Gjirokastrës, ndërkohë që në qarqet e tjera të Shqipërisë zhvillohet nga Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe ShoqataKristiane të Gruas Shqiptare – YWCA.
Mobilizimi i komunitetit u zhvillua gjatë datave 15 – 30 Prill 2015 në qytetet e Tiranës, Elbasanit, Peqinit, Korçës, Pogradecit dhe Gjirokastrës. Ai angazhoi më shumë se 250 persona të komuniteteve në këto qytete, nga ku mund të përmendim mbi 40 nëna të komunitetit rom, më shumë se 60 prindër rom dhe jo rom, mbi 50 mësues në zonat ku jetojnë fëmijët e komunitetit rom. Konsultime u zhvilluan me aktivistë dhe të rinj të komunitetit rom, pa lënë mënjanë ofruesit e shërbimeve dhe punonjësit e institucioneve në nivel lokal.
Prioritetet kryesore të dala nga këto konsultime nënvizuan nevojën për kopshte dhe shkolla të reja, rritje buxheti për mbështetjen e çdo fëmijë me ushqim dhe mjete didaktike, mbështetje për nënat në punësim dhe prindërim, infrastrukurë të përshtatshme për vendbanimet e komunitetit rom, mbështetje për prindërit jashtë skemave të ndihmës ekonomike, buxhetim më të madh për fëmijërinë e hershme, etj. Iniciativa këtë vit kërkon të fuqizojë komunitetin dhe krijojë hapësira për konsultim të vazhdueshëm me vendimmarrësit dhe marrjen e mendimit të komunitetit në mënyrë të vazhdueshme.
Iniciativa “Çdo fëmijë Rom në kopsht” e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me mbështetjen e UNICEF Shqipëri, zbatohet nga CRCA Shqipëri në 12 qarqe të Shqipërisë në bashkëpunin me Observatorin dhe YWCA. Viti i dytë i vë theksin punës në nivel lokal me çdo Bashki dhe Komunë ku jeton komuniteti rom dhe aktorëve kryesorë në nivel qëndror për të advokuar për arsimim cilësor parashkollor dhe të detyrueshëm. Puna me prindërit dhe famijet do të ketë si synim fuqizimin e familjeve, të rinjve dhe komunitetit rom për të nxitur ndjekjen e kopshtit dhe shkollave nga fëmijët e komunitetit rom.
Për më shumë informacion, kontaktoni:Mersila BalloEmail: mersila.ballo@crca.al