
Tiranë, 9 prill 2025 – Qeveria shqiptare mikpriti sot Konferencën Rajonale “Angazhim i Përbashkët për Fëmijët – Avancimi i reformave të kujdesit dhe eksplorimi i kuadrit të Garancisë Evropiane për Fëmijët”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesëve institucionalë, akademikë, anëtarë të komunitetit dhe partnerë zhvillimi nga e gjithë Europa. Me synimin për të përmirësuar politikat dhe mekanizmat e kujdesit për fëmijët, ky aktivitet u zhvillua si një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe ndarjeje të eksperiencave për të forcuar angazhimin ndaj mirëqenies së fëmijëve.
“Masa e vërtetë e përparimit, demokracisë dhe mirëqenies së një vendi matet me mënyrën se si trajton fëmijët e tij. Besoj se vendet tona, si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në rajon, kanë mundësinë të bëjnë një ndryshim të vërtetë për brezat që vijnë.”–u shpreh Znj. Albana Koçiu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Në fokus të kësaj konference ishte përfshirja aktive e fëmijëve dhe adoleshentëve, ku më shumë se 30 të rinjsh morën pjesë në një konsultim të veçantë, ku përmes një procesi interaktiv dhe gjithëpërfshirës, ata identifikuan problemet më të ndjeshme që prekin jetën e tyre dhe formuluan rekomandime konkrete që kërkojnë veprim të menjëhershëm. Tryeza e fëmijëve dhe të rinjve u bashkëorganizua nga CRCA-ECPAT Shqipëri, Save the Children, UNICEF në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Fëmijët ndanë mendimet e tyre mbi pesë prioritetet e Garancisë përshirë: Edukimin dhe kujdesin falas të fëmijërisë së hershme, arsimin falas, kujdesin shëndetsor falas, ushqyerjen e shëndetshme dhe strehim të përshtatshëm. Ata prezantuan rekomandimet e tyre në seancën përmbyllëse të konferencës, në praninë e liderave vendimmarrës, përfaqësues institucionalë dhe partnerëve të tjerë të Europës.
Garancia Evropiane për Fëmijët është një nismë e Bashkimit Evropian që synon të sigurojë që çdo fëmijë, pavarësisht prejardhjes, të ketë akses në shërbime themelore si: edukimi cilësor, ushqimi i shëndetshëm, kujdesi shëndetësor, strehimi i përshtatshëm dhe përkujdesja sociale.
“Bashkëpunimi ndër-institucional dhe me shoqërinë civile është çelësi për të çuar përpara reformat në kujdesin për fëmijët. Kjo do të mundësojë jo vetëm zhvillimin e mëtejshëm të politikave kombëtare, por edhe shkëmbimin e praktikave dhe përvojave të vlefshme me vendet e tjera të rajonit,” – u shpreh Z.Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri, gjatë fjalës së tij në seksionin e dedikuar për Shqipërinë.
Konferenca shërbeu si një platformë shkëmbimi për vendet e tjera të Ballkanit dhe më gjerë, për të mësuar nga përvojat e suksesshme të vendeve si Italia, Rumania, Kroacia dhe Greqia. Shqipëria, përmes kësaj konference, rikonfirmon angazhimin e saj për zbatimin e kësaj garancie dhe për ndërtimin e një sistemi që vendos në qendër fëmijën dhe të drejtat e tij.