Child & Youth Policy Hub Shqipëri është qendra e parë që fokusohet në procesin e vlerësimit dhe nxitjes së politikave e ligjeve më të mira për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor

Tiranë, 20 Nëntor 2018 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), një organizatë me një eksperiencë 21-vjeçare në fushën e politikave dhe legjislacionit për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve, njoftoi sot krijimin e Laboratorit të Politikave për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri. Qëllimi i tij është ndikimi në përgatitjen e politikave dhe ligjeve më të mira, bazuar tek eksperienca e vendeve të Bashkimit Europian, të cilat vendosin në qendër fuqizimin dhe pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve.
Laboratori do të fokusohet në mënyrë të veçantë me kontributin e tij në procesin e integrimit Europian të Shqipërisë, duke luajtur një rol kryesor në përgatitjen e raporteve, policy briefs, factsheets, etj.
Çështje të tilla si të drejtat e fëmijëve, vajzave, pakicave, LGBTI, punësimin e të rinjve, e drejta për arsim, monitorimi i buxhetit të shtetit, pjesëmarrja e fëmijëve dhe të rinjve në vendim-marrje, dhuna, siguria në internet, shfrytëzimi i fëmijëve etj, do të jenë fushat kryesore ku do të mbështetet puna e laboratorit në Shqipëri.
Laboratori i Politikave për Fëmijët dhe të Rinjtë, do të avokojë nga qeveria qendrore dhe ajo vendore, si edhe agjensitë e OKB-së, donator, për të drejtat dhe politikat e programet e mbështetjes së fëmijëve dhe të rinjve.  
CRCA krijoi Laboratorin në bashkëpunim me Koalicionin për Arsimin në Shqipëri (ACE), Rrjetin Kombëtar për të Rinjtë (ANYN) dhe do të mbështesë punën e tij nga partnerë të tjerë si: Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijët, Qendra Kombëtare për Internet të Sigurtë, Qendra e Informacionit dhe Kërkimeve për Fëmijët në Shqipëri dhe Ambasada PINK Shqipëri, për të ndërmarrë studime dhe vëzhgime mbi gjëndjen e fëmijëve dhe të të rinjve në Shqipëri, organizimin e anketave rajonale e kombëtare, si dhe raporteve të monitorimeve dhe vlerësimit të politikave për fëmijët dhe të rinjtë.
Ky Laborator përbëhet nga disa prej ekspertëve më të mirë në fushën e politikave për fëmijët dhe të rinjtë, studimeve gjinore dhe europiane, legjislacionit për të drejtat e njeriut, medias dhe gazetarisë.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Altin Hazizaj
CRCA Shqipëri
E-mail: info@crca.al


Detajet e Lajmit
November 20, 2018
389
Kategoria