Tiranë, 7 Shkurt 2023 – Sot në mëngjes, në Ditën Ndërkombëtare për Internet të Sigurt, iSIGURT.al hapi fushatën kombëtare për internetin e sigurt për fëmijët në Shqipëri. Fushata zhvillohet nën moton: Së bashku mund ta bëjmë internetin më të sigurt për fëmijët, dhe ka për qëllim të nxisë kujdes më të madh nga fëmijët, prindërit, institucionet dhe shoqëria, që asnjë fëmijë të mos bëhet viktimë e dhunës seksuale në internet apo të ketë qasje në materiale të papërshtatshme për moshën dhe formimin e tij.

iSIGURT.al – Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri, që funksionon edhe si Linjë Kombëtare për Sigurinë në Internet të Fëmijëve, është një shërbim kombëtar i ngritur nga CRCA/ECPAT Shqipëri në vitin 2015. Ajo ka si mision të saj kryesor raportimin dhe heqjen e materialeve në internet, në rrjetet sociale dhe median online, që përmbajnë dhunë seksuale ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, bullizëm dhe dhunë ekstreme ndaj fëmijëve dhe të rinjve, si dhe gjuhës e krimeve të urrejtjes.

Në Shqipëri, dita për internet të sigurt organizohet që nga viti 2005. Këtë vit do të ketë një sërë aktivitetesh publike të rëndësishme të organizuara nga iSIGURT.al:

  • 7 Shkurt, hapja e Ditës për Internet të Sigurt për Fëmijët, me angazhimin e medias, organizatave, shkollave, mësuesve, fëmijëve dhe adoleshentëve, oficerëve të sigurisë dhe prindërve, për të nxitur një diskutim të gjerë shoqëror dhe mbi të gjitha informimin e prindërve dhe fëmijëve për sigurinë online.
  • 9 Shkurt, hapja e Fushatës Kombëtare “Nuk është fotoja jote intime? Mos e shpërnda – Raportoje!”. Sot fëmijët janë bërë prodhues të  materialeve me përmbajtje intime, të cilat i shkëmbejnë me fëmijë të tjerë. Por, ato mund të shpërndahen lehtësisht nga celulari dhe tableta e të kthehen virale, pa lejen e fëmijës! Ne duam që fëmijët të tregojnë kujdes dhe të dinë ku të kërkojnë ndihmë, nëse një incident i tillë ndodh
  • 10 Shkurt, bërja publik e Raportit Kombëtar për Internetin e Sigurt në Shqipëri, një publikim i përvitshëm i iSIGURT që analizon incidentet që raportojnë fëmijët gjatë përdorimit të internetit dhe jep rekomandime për institucionet shtetërore dhe industrinë e internetit.

Dita për Internet të Sigurt synon të krijojë një klimë më të sigurt dhe më të mire në botën online, ku të gjithë jemi të fuqizuar të përdorim teknologjinë me përgjegjësi, respekt, kritikë dhe kreativitet. Ajo synon të arrijë tek fëmijët dhe të rinjtë, prindërit dhe kujdestarët, mësuesit, edukatorët dhe punonjësit socialë, industrinë e internetit dhe komunikimit, vendimmarrësit dhe politikanët etj., për të inkurajuar të gjithë që të luajnë rolin e tyre në krijimin e një mjedisi në internet sa më të mirë për këdo. Duke festuar fuqinë pozitive të internetit, slogani i Ditës për Internet të Sigurt “Së bashku për një internet më të mirë” inkurajon të gjithë që t’i bashkohen lëvizjes, të marrin pjesë dhe të shfrytëzojnë sa më shumë potencialin e internetit për të bashkuar njerëzit.

Për më shumë info, kontakto:

iSIGURT.al

isigurt@crca.al


Detajet e Lajmit
February 7, 2023
654
Kategoria