Vëzhgimi i parë në Shqipëri mbi shfrytëzimin seksual të fëmijëve në turizëm dhe udhëtime, i realizuar nga CRCA/ECPAT Shqipëri me mbështetjen e ECPAT Germany, evidenton faktin se autoritetet si në fushën e turizmit ashtu edhe në atë të mbrojtjes së fëmijëve kanë mungesë të theksuar të informacionit dhe dijes mbi këtë çështje.

Tiranë, 21 Shtator 2022 – CRCA/ECPAT Shqipëri në bashkëpunim me ECPAT Gjermani, me mbështetjen e Ministrisë Federale të Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik të Gjermanisë dhe GIZ, bënë publike sot në mëngjes gjetjet kryesore të evidentuara në vëzhgimin kombëtar “Shfrytëzimi seksual i Fëmijëve në turizëm dhe udhëtime në Shqipëri”. Studimi, u përgatit nga një ekip ekspertësh të njohur në fushë, të udhëhequr nga Dr. Belioza Çoku.
Gjatë vitit 2021, Shqipëria u vizitua nga thuajse 6 milionë persona, shumica nga vendet fqinje dhe ato Europiane, ndërkohë që varfëria prek thuajse 40 përqind të fëmijëve. Masivizimi i turizmit dhe rritja e fluksit të turistëve si vendas ashtu edhe të huaj, ka shtuar rreziqet për shfrytëzimin seksual të fëmijëve në sektorin e turizmit dhe udhëtimeve. Shqipëria gjatë viteve të fundit ka regjistruar një rritje të krimeve seksuale ndaj fëmijëve, përfshi edhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve në prostitucion, ndërkohë që trafikimi për qëllime të shfrytëzimit ekonomik dhe seksual vijojnë të prekin një numër të lartë të fëmijëve.
Qëllimi i studimit është njohja e situatës se si në tërësi industria e turizimit dhe udhëtimeve kontribuon apo rrit riskun që fëmijët të bëhen viktima të shfrytëzimit seksual në turizëm, në udhëtime, dhe në hotele e dhoma me qera, nëpërmjet komunikimit elektronik apo vizitave të organizuara qëllimisht për të shfrytëzuar fëmijët për qëllime seksuale.
Një prej shqetësimeve kryesore që përcjell studimi është mungesa e theksuar e informacionit dhe dijes së autoriteteve mbi shfrytëzimin seksual të fëmijëve në turizëm, si nga institucionet shtetërore, ashtu edhe nga sektori privat i turizmit dhe udhëtimeve në vend.
Gjithashtu, studimi sjell shqetësimin se ka një mungesë të theksuar të regjistrimit të të dhënave specifike nga ana e autoriteteve mbi shfrytëzimin seksual të fëmijëve në sektorin e turizmit, si nga ana e policisë ashtu edhe sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjes së fëmijëve. Nga ana tjetër evidentohet fakti që asnjë kompani shqiptare në fushën e turizmit dhe të udhëtimeve, nuk kanë nënshkruar Kodin e Sjelljes për mbrojtjejn e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual në udhëtime e turizëm. Sektori nuk është angazhuar asnjëherë në luftën kundër shfrytëzimit seksual të fëmijëve dhe nuk ofron asnjë informacion apo shërbim për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual.
Rekomandimet kryesore të studimit fokusohen në zhvillimin e ligjeve, politikave dhe programeve të reja në sektorin e turizmit dhe mbrojtjes së fëmijëve, të cilat vendosin në qendër mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi seksual, ndërkohë që agjencitë ligj-zbatuese dhe opertorët e turizmit duhet të rrisin nivelin e informimit dhe të trainimeve të stafeve për këtë fenomen, duke përfshirë edhe anëtarësimin e hoteleve në Kod.
 
Për më shumë info, kontaktoni:
 
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al


Deetajet e Lajmit
September 21, 2022
432
Kategoria