Devolli - Bashkia e parë që zbaton modelin e CRCA/ECPAT Shqipëri “Katër rrota për Shërbime” - ngritja e shërbimeve sociale të lëvizsshme në mbrojtje të fëmijëve. Mbi 1000 fëmijë dhe familje do të marrin shërbime shoqërore falas.

Devoll, 15 Maj 2022 – CRCA/ECPAT Shqipëri së bashku me Bashkinë Devoll nisën punën për ngritjen për herë të parë në një bashki në Shqipëri të shërbimeve sociale të lëvizshme në ndihmë dhe në mbrojtje të fëmijëve! Rreth 1000 fëmijë ne Devoll do të mbështeten me shërbime multi-disiplinare në familje përgjatë tre viteve të ardhshme!
Programi “4 Rrota në Shërbim” – i financuar nga Fondi Social i Qeverisë shqiptare, nëpërmjet partneritetit të CRCA/ECPAT Shqipëri me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, do të sjellin një risi në modelimin e shërbimeve shoqërore për qytetarët aty ku ata jetojnë, të kombinuara me shërbime mbështetëse në Qendrën e re Psiko-Sociale që Bashkia Devoll po hap në qytet me shërbimet shëndetësore dhe ato arsimore.
“Katër Rrota në Shërbim”- është një model inovativ i CRCA / ECPAT Albania që i sjell shërbimet shoqërore aty ku jeton fëmija: në familje, duke shmangur pamundësinë e shpeshtë të tyre për të udhëtuar apo vizituar qendrat psiko-sociale. Shërbimi do të kombinohet me Programin e Fuqizimit të Familjes, programin më të ri të përgatitur nga ekspertët më të mirë të CRCA/ECPAT Shqipëri me mbështetjen e UNDP Shqipëri.
Sot CRCA/ECPAT Shqipëri zhvilloi takimin e parë përgatitor dhe planifikues të nismës me Kryetarin e Bashkisë z. Eduard Duro, nën-kryetaren Zerina Sinani dhe Marilda Bejleri, Përgjegjësen e Shërbimeve të Përkujdesit Shoqëror. Shumë shpejt nis puna e përbashkët për zbatimin e kësaj nisme të domosdoshme për fëmijët dhe lehtësuese për kushtet e tyre në mënyrën e dhënies së ndihmës sociale!
 
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al
 
#CRCAmbronfëmijët #4rrotapërshërbime #bashkiadevoll #CRCAshqipëri #ECPATalbania #CRCAalbania #ecpatshqipëri