
Tiranë, Shkurt 2015– Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri-CRCA në përgjigje të ngjarjeve të rënda të pedofilisë në Shqipëri, i ka kërkuar sot Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë, duke iu kërkuar ngritjen e Regjistrit Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Krimet Seksuale. Regjistëri, nisur nga shëmbulli i një serë vendeve të BE-së, duhet të jetë një instrument i shtetit shqiptar për të luftuar pedofilinë dhe për të mbrojtur fëmijët nga çdo formë e dhunës dhe ngacmimit seksual. Kjo nisëm mbështetet nga Qeveria Kanadeze në kuadër të ndihmës që shteti kanadez jep për avancimin e tëdrejtave të njeriut në vend.
Kërkesa e propozuar nga CRCA Shqipëri e ve theksin në rëndësinë e ndërtimit të një politike të re në drejtim të parandalimit të krimit për të eleminuar çdo formë të dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Ajo kërkon të rrisë sigurinë e fëmijëve dhe familjeve, duke kërkuar që shteti të marrë masa parandaluese ndaj të gjithë pedofilëve që jetojnë në Shqipëri. Në këtë drejtim ngritja e Rregjistrit Kombëtar të Krimeve Seksuale është i një rëndësie themelore për të parandaluar çdo pedofil që të punojë apo të ketë akses në mjedise ku ka fëmijë. Ajo rrit angazhimin e policisë së shtetit në drejtim të monitorimit të lëvizjes së pedofilëve si në lagjet ku ata jetojnë ashtu edhe brenda e jashtë Shqipërisë.
Studimi Epidemiologjik Ballkanik mbi Abuzimin dhe Neglizhimin e Fёmijёve (B.E.C.A.N) në Shqipëri, të dhënat e të cilit u publikuan në Janar 2013, tregoi se dhuna ndaj fëmijëve është një fenomen i përditshëm për shumë fëmijë në Shqipëri. Sipas studimit 11% përqind e fëmijëve në Shqipëri janë viktima të ngacmimeve seksuale, ndërsa thuajse 5% e fëmijëve deklaruan se janë viktima të dhunës seksuale.
Z. Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA Shqipëri tha: “Në fund të këtij muaji ne do të dorëzojmë në Kuvend kërkesën tonë për miratimin e projekt-ligjit për ngritjen dhe funksionimi i këtij Regjistri. Ky projekt-ligj kërkon ta sjellë legjislacionin Shqiptar një hap më parë në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe detyrimin e marrjes së veprimeve nga institucionet për të mbrojtur çdo fëmijë nga çdo lloj forme dhune”.
Ngritja e Regjistrit Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna Seksuale është një kërkesë e vjetër e CRCA Shqipëri, e cila falë mbështetjes së Qeverisë së Kanadasë do të behët tashmë pjesë e vendim-marrjes së legjislativit shqiptar. Në ditët në vazhdim një proces i gjerë konsultimi për struktrën dhe përmbajtjen e Rregjistrit do të zhvillohet me të gjithë partnerët dhe institucionet publike, për të arritur në një projekt-final që do t’i dorëzohet Kuvendit për miratim.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Mersila Ballo
HRH, CRCA Shqipëri
Tel: 0694060392; E-mail: mersila.ballo@crca.al