Tiranë, 1 Qershor 2019 – Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe në vitin e 30-të të miratimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës nga OKB-ja, të dhënat, faktet dhe raportet ndër vite, si nga fëmijët, nga organizatat joqeveritare dhe ato të OKB-së, tregojnë se Shqipëria ka dështuar në mënyrë spektakolare për të mbrojtur të drejtat e çdo fëmije!
Vetëm përpara dy ditësh, Raporti “Fëmijët Mbrojnë Fëmijët”, i përgatitur nga fëmijët dhe të rinjte me mbështetjen e CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Save the Children, tregoi se 86% e fëmijëve në Shqipëri thonë se të drejtat e tyre nuk respektohen! Rreth 89 % e fëmijëvë të intervistuar deklarojnë se Qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm apo aspak për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve, ndërsa 56 % e fëmijëve dhe e të rinjve mendojnë se institucionet përgjegjësenuk kanë punuar dhe bërë sa duhet për mbrojtjen e tyre.
CRCA/ECPAT Shqipëri, prej 22 vitesh punon çdo ditë për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve, dhe është dëshmitare e krizave të vazhdueshme që ka kaluar Shqipëria, që nga viti i largët 1997 e deri tek kjo e fundit në vitin 2019! Të gjitha këto kriza civile dhe politike kanë një ndikim tepër negativ në jetën dhe mirëqenien e fëmijëve. Një studim i kryer nga Save the Children gjatë vitit të kaluar tregoi se 100% e fëmijëve pjesë e studimit nuk shikojnë perspektivën e zhvillimit të tyre në Shqipëri dhe duan të largohen! Ndërsa 79 %e të rinjve në Shqipëri (sipas Gallup), dëshirojnë të largohen nga vendi, për shkak të varfërisë, papunësisë, përjashtimit social dhe korrupsionit! Raporti më i fundit i CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Save the Children solli problematikën e “Mungesës së shpresës dhe perspektivës” si një nga çështjet kryesore që shqetësonin fëmijët në Shqipëri përsa i përket të ardhmes. 16% nga 100% e fëmijëve të intervistuar, janë shfaqur të pashpresë për të ardhmen e tyre.
Nga një vëzhgim që ne i kemi bërë të dhënave dhe situatës së fëmijëve në Shqipëri, na rezulton se:
SHFRYTËZIMI DHE TRAFIKIMI
Mbi 5000 fëmijë nga Shqipëria janë viktima të trafikimit ndërkombëtar(raportet e disa qeverive në Bashkimin Europian dhe të organizatave joqeveritare ndërkombëtare);
Çdo 3 ditë humbet 1 fëmijë në Shqipëri (të dhënat e Policisë së Shtetit përgjatë viteve 2015-2017. Në 3 vite 365 fëmijë kanë humbur, prej të cilëve 258 vajza dhe 107 djem.Ndërkohë që 353 prej tyre janë rikthyer pranë familjeve, pjesa tjetër vijojnë ende të jenë të pagjetur);
Mbi 50,000 fëmijë punojnë në punë të lehta e të rënda për të siguruar mbijetësën e familjeve të tyre(bazuar në të dhënat e ILO-IPEC);
Mbi 2500 fëmijë në Shqipëri lypin dhe jetojnë rrugëve (Studim kombëtar mbi fëmijët në situatë rruge në Shqipëri nga UNICEF dhe ARSIS);
DHUNA
77%e fëmijëve në Shqipëri kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës në familje;
41 % e fëmijëve të moshës 0-17 vjeç, kanë qënë të ekspozuar ndaj dhunës në familje gjatë 12 muajve të fundit (bazuar në Vrojtimi Kombëtar INSTAT Dhuna në Shqipëri ndaj Grave dhe Vajzave 2018);
12% e fëmijëve në Shqipëri janë viktima të ngacmimeve dhe abuzimit seksual(Studimi Ballkanik për Dhunën Ndaj Fëmijëve-BECAN);
Mbi 60% e fëmijëve raportojnë internet të pasigurt (Qendra për Internet të Sigurt në Shqipëri dhe Platforma www.ISIGURT.al );
44% e fëmijëve kanë qasje në pornografi me të rritur çdo ditë në internet;
47 për qind e tyre janë kontaktuar nga një person i panjohur gjatë kohës që janë në internet (Raporti mbi sigurinë e fëmijëve online në Shqipëri);
41% e fëmijëve, janë viktima të një forme të dhunës në shkolla (Raportin e Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës 2018);
Zero pikë Shqipëria për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe dhuna seksuale për mekanizmat jofunksionalë të saj. Në renditjen globale, Shqipëria zë vendin e 26, ndërmjet 40 vendeve të marra në konsideratë (Indeksi “Jashtë Hijeve” i liderit Global the Economist Intelligence UNIT);
VARFËRIA
100,000 fëmijë në të gjithë Shqipërinë janë të rrezikuar çdo ditë nga uria dhe varfëria ;
20% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri absolute;
Varfëria renditet si faktori i dytë më i rëndësishëm në mos-respektimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.Rreth 18 % e 100 % të fëmijëve dhe të rinjve që iu përgjigjën pyetësorit besojnë se varfëria është një faktor i rëndësishëm që ndikon në mbijetesën, mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve (Raporti “Fëmijët për të Drejtat e Fëmijëve”);
ARSIMI
Mbi 15.000 fëmijë në Shqipëri, janë jashtë arsimin publik të detyrueshëm;
22% e fëmijëve romë të moshës 10-18 vjeç nuk kanë qenë kurrë në shkollë;
43% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri nuk ndjekin arsimin parauniversitar publik(sipas studimit të UNICEF);
Vetëm 35% e shkollave janë të aksesueshme nga fëmijë me aftësi të kufizuar(të dhënat e ADRIF);
23 % nga 100 % e anketimeve të fëmijëve shprehen se dhuna dhe bulizmi në shkollë është një ndër shkeljet kryesore të të drejtave të fëmijëve(Raporti Kombëtar “Fëmijët për të Drejtat e Fëmijëve, CRCA/ECPAT dhe Save the Children);
DREJTËSIA
50% e të gjithë veprave penale në Shqipëri kryen nga adoleshentët dhe të rinjtë të moshës 14-29 vjeç (INSTAT);
Fëmijët vajza në konflikt me ligjin vazhdojnë të mbahen në të njëjtat mjedise si grate;
Fëmijët përballen me procedura të gjata gjyqësore dhe trajtohen njësoj si të rriturit;
SHËNDETËSIA
Shqipëria është vendi i parë me vdekshmërinë foshnjore deri në 5 vjeç më të lartë në Ballkan;
23.2% e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç janë poshtë standarteve të rritjes sipas OBSH (Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë);
54.000 familje në Shqipëri që trajtohen me ndihmë ekonomike janë të detyruar ti blejnë ilaçet fillimisht dhe pastaj më pas të rimbursohen.
Në këtë ditë ndërkombëtare ne duam të sjellim në vëmendjen e Kuvendit të Shqipërisë, Qeverisë Shqiptare, institucioneve përgjegjëse, Bashkive, publikut dhe medias, situatën e rëndë që ndodhen fëmijët në Shqipëri dhe sesa larg jemi ne që të gjithë drejt arritjes së respektit dhe barazisë së fëmijëve në të drejta, mirëqenie dhe dinjitet!
Në Shqipëri, sipas INSTAT, 1/4 e popullsisë janë fëmijë të moshës nën 18 vjeç ose rreth 670 mijë fëmijë dhe adoleshentë. Shikoni shifrat e mësipërme dhe mendoni se çfarë vuajtjesh kalojnë fëmijët për t’u rritur! Pyetja është a do t’ju duhet fëmijëve tanë edhe 30 vjet të tjera që t’ju respektohen të drejtat dhe jeta e tyre?
CRCA/ECPAT Shqipëri, i kërkon të gjitha institucioneve përgjegjëse që të marrin hapa konkretë dhe të menjëhershëm për realizimin e të drejtave të fëmijëve të sanksionuara nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës, si dhe në detyrimet që kanë lindur nga Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm (SDG-të). Ne këtë ditë ne kërkojmë një Plani Kombëtar Veprimi dhe një Task Forcë në nivel kombëtar, për të adresuar në mënyrë të menjëhershëm këto shkelje të rënda të të drejtave të fëmijëve që nga ratifikimi i KDF në Shqipëri.