Fushata Europiane “Fuqizimi i Fëmijëve për të parandaluar dhunën seksuale” e Divizionit për të Drejtat e Fëmijëve në Këshillin e Europës, ka zgjedhur si partnere të saj CRCA / ECPAT Shqipëri për organizimin e aktiviteteve në Ditën Europiane kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri.
Data 18 Nëntor 2019, është caktuar nga Këshilli i Europës si dita europiane për të ndërgjegjësuar publikun mbi parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual. Përgjatë kësaj dite, si në të gjitha vendet e Europës edhe në Shqipëri, do të organizohen evente të ndryshme duke vënë në fokus kryesor fëmiijët, fuqizimin dhe ndërgjegjësimin e tyre, duke stimuluar projekte të drejtuara nga fëmijët, pjesëmarrjen e tyre dhe ndërveprimet midis vetë fëmijëve.
Në Shqipëri fenomeni i shfrytëzimit dhe abuzimit sekual të fëmijëve është në terma shqetësues, jo vetëm përsa i përket shifrave që ofrohen, por edhe përsa i përket raportit të dënimeve që i jepen autorëve. Sipas studimeve dhe raporteve në vendin tonë, rreth 11% e fëmijëve deklarojnë se janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale nga një i rritur dhe rreth 5 % e tyre janë viktima të abuzimit seksual, (studimi BECAN). Indeksi “Jashtë Hijes” i The Economist Intelligence UNIT, në analizën e tij mbi 40 vende të botës, vlerësoi me zero pikë Shqipërinë për mekanizmat jofunksionalë e saj për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe dhuna seksuale.
Dita Europianekundër shfrytëzimit dhe abuzimit seksual ndaj fëmijëve, u vendos në vitin 2015 nga Këshilli i Europës dhe këtë vit përkon me 30 vjetorin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. Dita Evropiane pason punën e rëndësishme dhe ndikimin që vjen nga Këshilli i Evropës për të ndaluar dhunën seksuale ndaj fëmijëve dhe zbatimin e Konventës së Lanzarote – një instrument unik ky dhe ligjërisht i detyrueshëm që detyron shtetet palë të kriminalizojnë të gjitha format e abuzimit seksual të fëmijëve dhe përcaktojnë mënyrat për ta luftuar atë.
Për më shumë info kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al