
Tiranë, 15 Prill 2025 – CRCA-ECPAT Shqipëri dhe ECPAT International hapën fushatën “Drejtësi pa kufizim në kohë”, që avokon për heqjen e afatave të ndjekjes penale për krimet seksuale ndaj fëmijëve në të gjithë botën.
Fushata thekson se drejtësia nuk duhet të ketë një datë skadence. Shumë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë fëmijërisë kalojnë dekada përpara se të ndihen të sigurt ose gati për të folur. Sipas studimeve, mesatarisht duhen 9 deri në 15 vite që një i mbijetuar të zbulojë abuzimin, nëse e bëjnë ndonjëherë. Pavarësisht kësaj, shumë vende vazhdojnë të aplikojnë kufizime kohore që ua mohojnë të mbijetuarve të drejtën për të kërkuar drejtësi.
Qëllimi i ligjit duhet të jetë sigurimi i mbrojtjes për personat që kanë përjetuar abuzim, duke shmangur çdo interpretim që mund të favorizojë autorët e veprave. Është e rëndësishme që afatet ligjore të mos kthehen në pengesë për aksesin në drejtësi për të prekurit.
Fushata bën thirrje për një qasje ligjore që njeh realitetin e dhimbjes dhe procesin kompleks të shërimit. Në mbarë botën, 1 në 5 vajza dhe 1 në 13 djem përjetojnë abuzim seksual në fëmijëri. Megjithatë, shumë prej tyre nuk arrijnë kurrë të kërkojnë drejtësi, për shkak të afateve të kufizuara që parashikon ligji.
Vende si Kenia, Pakistani dhe Malajzia kanë hequr tashmë kufizimet kohore për ndjekjen penale të krimeve seksuale ndaj fëmijëve. Shqipëria dhe shumë vende të tjera duhet të ndjekin këtë shembull.
“Zërat e të mbijetuarve duhet të dëgjohen – askujt nuk duhet t’i thuhet se është ‘shumë vonë’. Abuzimi seksual nuk është kurrë diçka që mund të fshihet nga koha,” – thuhet në mesazhin zyrtar të fushatës.
CRCA-ECPAT Shqipëri dhe ECPAT International ftojnë të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat të bashkohen në këtë nismë me qellim kerkimin e drejtësise pa kufizim në kohë për të gjithë fëmijët që janë prekur nga dhuna seksuale.