Në 30-Vjetorin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës, Shqipëria mbetet ende një shtet me shkelje serioze të të drejtave të fëmijëve!

Tiranë, 20 Nëntor 2019 – Dita e sotme përfaqëson Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës dhe 30-vjetorin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës (KDF). Shqipëria është një ndër vendet e para që ratifikoi KDF-në, 27 vjet më parë, në Shkurt 1992. Megjithatë vendi vazhdon të mbetet burimi i shkeljeve serioze të të drejtave të fëmijëve, sidomos në drejtim të mungesës së mbrojtjes së mjaftueshme për fëmijët nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual, skllavëria dhe përdorimi për punë të rëndë e të detyruar, varfëria në masë e fëmijëve dhe mos-garantimi i të drejtës për arsim.
Nisur nga kjo gjendje e rëndë, të cilën CRCA/ECPAT Shqipëri dhe shumë organizata të tjera të shoqërisë civile e kanë raportuar çdo vit, vendosën që në vend të festës, të marshojmë dhe protestojmë për ndërgjegjësimin e Qeverisë, politikanëve, shoqërisë, fëmijëve dhe medias, mbi situatën në të cilën ndodhen fëmijët dhe adoleshentët në vendin tonë.
Të dhënat e mëposhtme, të shkëputura nga një sërë raportesh, tregojnë situatën e rëndë të fëmijëve në Shqipëri:

86% e fëmijëve në Shqipëri thonë se të drejtat e tyre nuk respektohen;
89 % e fëmijëvë të intervistuar deklarojnë se Qeveria nuk ka bërë mjaftueshëmapo aspak për të mbrojtur të drejtat e tyre;
Çdo 3 ditë humbet 1 fëmijë në Shqipëri. Gjatë 3 viteve të fundit, 365 fëmijë kanë humbur, prej të cilëve 258 vajza dhe 107 djem.
Mbi 50,000 fëmijë punojnë në punë të lehta e të rënda për të siguruar mbijetësën e familjeve të tyre;
77%e fëmijëve në Shqipëri kanë përjetuar të paktën një formë të dhunës në familje;
11% e fëmijëve në Shqipëri janë viktima të ngacmimeve dhe abuzimit seksual;
41% e fëmijëve, janë viktima të një forme të dhunës në shkolla.

Situata e fëmijëve në Shqipëri dhe realiteti që ofrohet, detyroi organizatat e shoqërisë civile që punojnë e avokojnë çdo ditë për të drejtat e fëmijëve ti drejtohen marshimit, i cili nisi para Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke vijuar më pas drejt Bashkisë së Tiranës, dhe duke u ndalur para ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryeministrisë. Ato ngritën zërin e tyre për të kërkuar një perspektivë më të mirë për fëmijët në Shqipëri, për të kërkuar zbatimin e Konventës së të drejtave të fëmijëve, për të kërkuar llogari nga institucionet shqiptare lokale dhe qendrore, për respektim të plotë të të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentët.
Kuvendi, Qeveria dhe Bashkitë në Shqipëri e kanë për detyrë që, jo vetëm të zbatojnë të plotë ligjin për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, por edhe të marrin të gjitha masat që asnjë fëmijë të mos gjendet i vetëm, pa përkrahje apo i harruar!
Ne sot i bëmë thirrje çdo zyrtari publik dhe politikani:
Mbroni fëmijët! Mos lini asnjë fëmijë vetëm në çastet më të vështira apo vendimtare në jetën e tyre!


Detajet e Lajmit
November 20, 2019
5493
Kategoria