
Tiranë, 16 korrik 2019 – Pranë Ditës Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore, CRCA/ ECPAT Shqipëri kërkon të ndajë publikisht shqetësimin e saj se Shqipëria ka dështuar në luftën për eleminimin e trafikimit të fëmijëve dhe Qënieve Njerëzore, duke ofruar shumë pak mundësi për mbrojtjen e tyre. Sipas të dhënave të Agjensisë kundër Krimit në Mbretërinë e Bashkuar, vetëm gjatë vitit 2018, janë trafikuar 217 fëmijë shqiptarë, shumica për qëllime seksuale. Pyetja që ne çojmë sot është: Sa fëmijë janë trafikuar nga Shqipëria në Europë?
Përgjatë 10 viteve të fundit (2009-2018), sipas Policisë së Shtetit, rezulton se janëtrafikuar90 fëmijë nga Shqipëria, nga të cilët 53 vajza. Ndërkohë nga të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë për 10 vitet e fundit tregojnë se nga 115 autorë të akuzuar nga policia për trafikim të fëmijëve, vetëm42 prej tyre janë dënuar nga drejtësia.
Sipas Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shqipëria është vend origjine dhe shfrytëzimi i trafikimit të fëmijëve. Sipas Agjensisë kundër Krimit të Mbretërisë së Bashkuar, vetëm gjatë vitit 2018 janë trafikuar nga Shqipëria 947 persona nga 777 që ishin në vitin 2017, me një rritje prej 21% brenda një viti. Kjo rritje ka prekur edhe fëmijët ku gjatë vitit 2018, u raportuan 217 fëmijë të trafikuar, ndërsa në vitin 2017 ishin 210, me një rritje të lehtë prej 3.3%.
Vendet të cilat mbeten kryesore ku fëmijët nga Shqipëria, trafikohen për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punë të detyruar nga rrjetet e krimit të organizuar, drogës dhe prostitucionit, janë Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Belgjika.
Pranë Ditës Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore, CRCA/ECPAT Shqipëri kërkon të sjellë në vëmendje se rreth 100,000 fëmijë në Shqipëri jetojnë në nivelin e varfërisë dhe rrezikohen seriozisht nga shitja, trafikimi dhe shfrytëzim për qëllime ekonomike dhe seksuale. Mbi 2500 fëmijë në Shqipëri çdo ditë lypin dhe jetojnë në rrugë, ndërsa mbi 50,000 fëmijë të tjerë punojnë me familjet e tyre për të siguruar mbijetesën.
“Këto shifra janë një këmbanë alarmi për këdo në Shqipëri- tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri – “Gjatë vitit 2018 Qeveria shqiptare u kritikua nga Departamenti Amerikan i Shtetitpër dënimet e munguara ndaj veprave të trafikimit, mosfinancimin e strehëzave dhe OJQ, etj. Sërish në vitin 2019, situata paraqitet e njëjtë. Qeveria ende nuk ka përgatitur e miratuar një Plan Kombëtar të Veprimit për eleminimin e Trafikimit dhe Shfrytëzimit të Fëmijëve në Shqipëri dhe nuk ka financuar as Shërbimet e Emergjencës së Fëmijëve, as ato të mbështetjes psikologjike, ligjore apo strehëzat. Kuvendi ende nuk ka miratuar ndryshimet ligjore në Kodin Penal për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë dhune dhe abuzimi seksual.”
Sipas shifrave të Platformës Europiane të Bashkimit European Kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore, pjesë e së cilës është prej vitesh edhe CRCA/ECPAT Shqipëri, numri i viktimave të trafikimit në Europë arrin në 20.532 gra dhe fëmijë.
Dita Ndërkombëtare Kundër Trafikimit të Qënieve Njerëzore është një ditë që kërkon të ndërgjegjësojë opinionin publik mbi këtë çështje dhe të mobilizojë të gjitha burimet politike e ligjvënëse në adresimin e drejtë të problematikave dhe zhdukjes së këtij fenomeni.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA /ECPAT Shqipëri
Email: info@crca.al