Gjenevë, 28 Gusht 2024 – Organizatat e shoqërisë civile nga Shqipëria pritet që në datë 30 Gusht të raportojnë përpara përfaqësuesve të shteteve anëtare të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në Gjenevë, në atë që konsiderohet para-sesioni informues. Qëllimi i këtij takimi dhe i procesit në tërësi është që të informojë shtetet anëtare pjesë e procesit të Raportimit Periodik Universal (UPR) mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri si dhe shqetësimet që lidhen me shkeljet kryesore të tyre, të vërejtura gjatë katër viteve të fundit.

CRCA/ECPAT Shqipëri është e vetmja organizatë vendase që ka dorëzuar raport alternativ mbi gjendjen e fëmijëve dhe të rinjve në vend, së bashku me një konsorcium të organizatave partnere, që prej hapjes së procesit të Raportimit Periodik Universal. Në raportin më të fundit, theksi vihet sidomos tek të drejtat e fëmijës për shërbime dhe mbrojtje nga dhuna online dhe offline, aksesi në drejtësi, mbrojtja nga diskriminimi, ushtrimi i të drejtës së arsimit etj.

Ndërkohë, raporti zyrtar i Shqipërisë si shtet palë në UPR, do të prezantohet dhe dëgjohet në Sesionin e 47-të nga Grupi i Punës së UPR – para se të prezantohet së bashku me rekomandimet finale në Këshillin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së – në Nëntor 2024. Shteti shqiptar dhe institucionet janë ende duke punuar për të përgatitur dhe dorëzuar raportin zyrtar.

Qëllimi i Para-sesionit të Gushtit, i cili është i hapur për shoqërinë civile dhe institucionet e pavarura për të drejtat e njeriut, është një mundësi e mirë për dialog ndërmjet përfaqësuesve të delegacioneve permanente në OKB dhe shoqërisë civile, për të ndarë shqetësimet dhe rekomandimet sesi mund të përmirësohet situate e të drejtave të njeriut në vend.

Për më shumë info, kontakto:

CRCA/ECPAT Shqipëri

E-mail: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
August 28, 2024
602
Kategoria