Tiranë, 8 Mars 2013 – Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) dhe Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë proteston në ditën ndërkombëtare të grave, përpara KQZ-së, ndaj vendimit të saj për penalizimin e subjekteve zgjedhore vetëm me gjobë.
Në këtë Manifestim–Protestë morën pjesë përfaqësues të shoqërisë civile në vend, organizatave ndërkombëtare, të koalicioneve partnere, të grupeve politike të të rinjve dhe grave, që punojnë për arritjen e barazisë gjinore, avancimin, përfaqësimin politik dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në Shqipëri. Manifestimi u ndoq dhe u prezantua nga përfaqësues të Medias së shkruar dhe asaj vizive.
Altin Hazizaj, Drejtori i CRCA, gjatë leximit të deklaratës tha se: “KQZ-ja ka për detyrë që të kërkojë shpjegime nga partitë politike në lidhje me mos-zbatimin e kuotës gjinore dhe jo ta shesë kauzën e barazizë gjinore dhe atë të zhvillimit të Shqipërisë për 10 milionë lekë të vjetra. KQZ-ja ka pranuar publikisht, për shkak të presionit të dy partive politike më të mëdha në vend, që çdo forcë politike të paguajë një gjobë prej 10 milionë lekësh të vjetra dhe mund të regjistrojë në KQZ çdo listë shumë emërore rajonale, pavarësisht nëse ajo nuk e plotëson kriterin e përfaqësimit gjinor”.
Ndërsa Elona Gjebrea, Drejtore e Qendrës për Popullsinë dhe Zhvillimin u shpreh se: “Nuk do të pranojmë asnjëherë një trajtim diskriminues dhe jo dinjitoz të grave dhe vajzave të këtij vendi. Politika është një çështje e të gjithë qytetarëve ndaj gratë duhet të marrin vendin e tyre të duhur në politikë dhe në vendim-marrje”.
Pjesmarrësit në Protëstë, të cilët tërhoqën vëmendjen përmes zhurmës së bilbilave dhe mesazheve të pankartave që mbanin në dorë, kërkuan që KQZ të marr të gjitha masat për të bërë qendrimin e saj publik dhe të kërkojë llogari nga të gjitha partitë politike që do paraqesin kandidatë në zgjedhje, në rast se ato nuk zbatojnë kuotën gjinore në listat e kandidatëve, siç kërkohet në Kodin Elektoral; si dhe Partitë politike që do të garojnë në zgjedhjet e 23 Qershorit të zbatojnë rigorozisht kuotën gjinore në listat e kandidatëve për të përmbushur angazhimet e tyre publike në mbështetje të grave dhe vajzave në politikë.


Detajet e Lajmit
March 8, 2013
271
Kategoria