Tirane, 14 Prill 2008 – Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë në bashkëpunim me Rrjetin Millenium dhe me mbështetjen e UNIFEM, organizuan një procedurë nënshkrimi publik të letër-kërkesës në mbështetje të miratimit të projekt-ligjit për barazi gjinore në shoqëri, si finalizim i një fushate sensibilizimi dyjavore në të gjithë Shqipërinë.
Kjo procedurë nënshkrimi publik e letër-kërkesës drejtuar përfaqësuesve të partive politike në vend, përfaqësuesve të parlamentit e qeverisë, u organizua me qëllimin për të nxitur një mbështetje dhe debat publik për miratimin e projekt-ligjit nga Kuvendi i Shqipërisë.
Letër-kërkesa u nënshkrua publikisht nga drejtues të organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri por edhe kryetare të forumeve politike të grave e institucione te tjera. Të ftuar në këtë eveniment ishin edhe përfaqësues të medias.
Në mbështetje të projekt-ligjit i cili garanton mbrojtjen e të drejtave të grave dhe barazinë gjinore në vendet e punës, komunitetet, shkollat dhe strukturat qeveritare si dhe një minimum prej 30 % të pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, gjatë dy javëve të fushatës letër-kërkesa u nënshkrua gjithashtu nga një numër i madh individësh, organizatash, institucionesh, rrjetesh etj., në të gjithë Shqipërinë, të cilët u bashkuan me shqetësimin për mos-miratimin e ligjit deri më sot.
Gjatë nënshkrimit publik, të gjithë personat që u bënë pjesë e kësaj iniciative shprehën bindjen e tyre se kjo do të jetë një shtysë më tepër për miratimin e projekt-ligjit për barazinë gjinore në Shqipëri.