Tiranë 24 Nëntor 2016- Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri- CRCA, Koalicioni për Arsimin e Fëmijëve në Shqipëri dhe ANYN në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë organizuan për here të parë konsultimin publik me fokus buxhetin e shtetit për arsimin dhe shërbimet për vitin 2017.
Popullsia shqiptare vazhdon të mbetet ende një ndër popullësitë me moshën më të re në Europë, ku rreth 55.4% e saj përbëhet nga fëmijët dhe të rinjtë. Që prej vitit 2013 e në vijim Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit kanë ndërmarrë një serë reformash madhore, të cilat kanë një ndikim të drejtëpërdrejtë në jetën e femijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri, si dhe gjithë shoqërisë, profesionistëve, zyrtarëve etj. Reforma e re për shërbimet e kujdesit shoqëror, e mbrojtjes së fëmijëve, ajo e Arsimit publik parauniversitar, përfshi edhe krijimin e shkollave me bazë komunitare, krijimi i qendrave të reja Rinore etj, sjellin një serë nevojash për financimin e shërbimeve të reja në arsim, në shërbime shoqërore për fëmijet, familjet dhe të rinjtë.
Të gjitha këto reforma të rëndësishme kanë në të njëjtën kohë ndikim të drejtëpërdrejtë në buxhetin e shtetit dhe politikat shtetërore, si dhe pjesmarrjen e qytetarëve në diskutimin dhe planifikimin e tyre.
I organizuar në 2 seanca plenare Konsultimi Publik “Buxheti I Shtetit për Arsimin dhe Shërbimet për Fëmijët dhe të Rinjtë” shërbeu si një platformë diskututimi rreth buxhetin e përgatitur tashmë për vitin 2017, specifikat e këtij buxheti, cilat janë ndikimet e tyre në çështjet e të drejtave të femijëve dhe të rinjve e shërbimeve për ta, si planifikohet të ndahet buxheti (sipas programeve buxhetore), dhe cilat janë kërkesat e shoqërisë civile për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Zv. Minstrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, përfaqësues të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, deputetë të Grupit Parlamentar “Miqte e Fëmijëve”, Organizata Ndërkombëtare, përfaqësues nga Këshilli I Evropës, trupa diplomatikë të akredituar në Shqipëri, organizata të shoqërisë civile, të rinj e të reja u bënë pjesë e këtij aktiviteti duke evidentuar prioritetet që Buxheti I dy ministrive duhet të mbulojë për të bërë të mundur garantimin e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës si dhe sigurimin e shërbimeve për fëmijët dhe të rinjtë në mbarë vendin.