Tiranë, 23 Maj 2014-Qëndra për Mbrotjen e të Drejtave të Fëmijëve CRCA dhe ALO 116 000 Linja Kombetare për Fëmijët e Humbur si anëtare të Rrjetit Global për Fëmijët e Humbur, organizuan në Ditën Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur, Marshim në mbështetje të Fëmijëve të Humbur përpara Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të kërkuar një vëmëndjë më të madhe të institucioneve, agjencive ligjzbatuese dhe shoqërisë ndaj çështjeve të fëmijëve të humbur.
Dita ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur, 25 Maj, është një ditë ku njerëzit dhe shoqëria në mbarë botën kujtojnë fëmijët e humbur, kujtojnë ata fëmijë të cilët kanë qënë viktima të trafikimit, shfrytëzimit dhe abuzimit si dhe mbeshtesin përpjekjet e familjarëve për të gjetur fëmijët e tyre. Qëllimi kryesor i Ditës Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur është të inkurajojë të gjithë të mëndojnë në lidhje me fëmijët e humbur dhe për të përhapur mesazhe shprese.
Këtij marshimi ju bashkuan familjarë dhe të afërm të fëmijëve të humbur të cilët bënë thirrje ndaj instancave përkatëse për më shumë vëmëndje ndaj rasteve të humbjes dhe zhdukjes së fëmijëve në Shqipëri.
Z.Altin Hazizaj-Drejtor i Ekzekutiv i CRCA Shqipëri në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve të Humbur kërkoi nga të gjitha institucionet përgjegjëse angazhim serioz për:
Intesifikimin e kërkimeve për gjetjen e të gjithë fëmijëve të humbur;
Krijimin e një procedure standarte për të përkufizuar qartësisht termin “Fëmijë i humbur” dhe percaktimin e një procedure të kalimit nga fëmijë i larguar në fëmijë i humbur dhe i zhdukur;
Trajtimin me emergjencë të çdo denoncimi për rastet e largimit të fëmijëve nga familja dhe shpalljen e çdo fëmije “si të humbur” brenda 6 orëve që nga momenti kur nuk është gjetur fëmija,pavarësisht nëse fëmija është rast me precedent të përsëritur të largimit edhe kur jeta e fëmijës në dukje nuk është në rrezik;
Trajtimin e çdo rasti të fëmijëve të humbur si i rrëmbyer apo i trafikuar derisa të provohet e kundërta;
Të krijohet një Rregjistër Kombëtar për trafikuesit, shfrytëzuesit dhe abuzuesit e fëmijëve.
Duke mbështetur intesifikimin e kërkimeve nga organet e shtetit, Linja e Këshillimit për Fëmijë- ALO 116 është në dispozicion falas 24 orë në 7 ditë të javës nëpërmjet numrit 116 000, ku çdo qytetar, mund të raportojë në mënyrë anonime, nëse beson se ka të dhëna të mjaftueshme për të lehtësuar kërkimin apo mund të informojë mbi këto raste.
SË BASHKU NE MUND TI GJEJME ATA
ALO 116 000 – Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur