Tiranë, 8 Mars 2014 – Përfaqësues nga grupe të ndryshme të shoqërisë civile, burra dhe gra, të rinj dhe të reja, të inicuar nga Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë, manifestuan në ditën ndërkombëtare të të drejtave të grave përpara Kuvendit, për të ngritur zërin për gjendjen e rëndë të të drejtave politike të grave në Shqipëri dhe për të kërkuar shanse të barabartanë politikë dhe vendimmarrje.
Manifestuesit dolën me maskat e deputetëve dhe politikanëve në fytyrë për ti ironizuar, meqë këta të fundit asnjëherë nuk e kanë mbështetur realisht gruan përveçse në deklaratat e fushatave elektorale. Politikanët dhe parlamentarët burra edhe pse u ftuan nga organizatorët ti bashkoheshin manifestimit për të treguar dëshirën dhe angazhimin e tyre për të mbështetur dhe promovuar pjesmarrjen e gruas në politikë dhe vendimmarrje, nuk iu bashkuan manifestimit.
“Një pushtet politik i përqendruar në mënyrë kaq të pabarabartë në duart e burrave vetëm mund të prodhojë padrejtësi dhe shkelje të të drejtave të grave! Pushteti dhe vendim-marrja politike sot iu jepet grave sikur të ishte lëmoshë dhe jo një e drejtë!” – tha në deklaratën e tij z. Altin Hazizaj, bashkëthemelues i Koalicionit.
Manifestuesit kërkuan publikisht nga politikanët dhe sidomos deputetët burra, përmes një deklarate publike, që të mbështesin me mjete pro-aktive pjesmarrjen dhe përfaqësimin dinjitoz të grave dhe vajzave në politikë dhe vendim-marrje! Ata kërkuan specifikisht nga politikanët burra të nxisin barazinë gjinore në të gjitha strukturat e partive duke zbatuar kuotën gjinore dhe mbështetjen me buxhet të veçantë për Forumet e Grave të partive politike, si edhe të rishikojnë Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Partitë Politike, si mjete për arritjen e barazisë gjinore në politikë dhe vendim-marrje.
Manifestime të ngjashme u zhvilluan në një sërë qytetesh anembanë Shqipërisë, nga rrjeti i organizatave partnere të Olof Palme International Centre, për të shprehur mos-aprovimin shoqëror për qasjen e politikës përkundrejt grave. Manifestimi pati jehonë të gjerë si në median e shkruar dhe atë vizive.


Detajet e Lajmit
March 8, 2014
373
Kategoria