THIRRJE PUBLIKE

1 Maji është dita e fundit kur çdo ministri e linjës dhe bashki në vend duhet të dorëzojë buxhetin vjetor (2019) dhe atë afatmesëm (2019-2020) tek Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Por, pavarësisht kësaj, ministritë dhe bashkitë në vend deri më tani nuk kanë zhvilluar asnjë seancë dëgjimore me organizatat e shoqërisë civile për të konsultuar nevojat e buxhetit, detyrim ky i parashikuar edhe në Nenin 25 të Ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë prej muajit Shkurt 2018 ka ndarë me ministritë e linjës dhe të gjitha bashkitë në Shqipëri, metodologjinë e përgatitjes së buxhetit vjetor dhe atë afatmesëm në nivel lokal dhe qëndror. Udhëzuesi për përgatitjen e buxhetit, i hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk është konsultuar në asnjë moment me organizatat e shoqërisë civile.
Buxheti i shtetit është buxheti për çdo qytetar shqiptar!
Koalicioni për Arsimin në Shqipëri, CRCA dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë, shprehin shqetësimin e tyre për mos-përmbushjen e kërkesave të nënit 25 të ligjit 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, ku thuhet shprehimisht se: Ministria e Financave organizon takime me njësitë e qeverisjes vendore për programin buxhetor afatmesëm. Njësia përgjegjëse për buxhetin, në Ministrinë e Financave, zhvillon konsultime me shoqërinë civile në procesin e programimit buxhetor.
Lidhur me këtë mungesë konsultimi të buxhetit vjetor dhe afatmesëm në nivel qëndror dhe lokal, ne duam të shprehim shqetësimin e thellë, ndër të tjera edhe për Kuvendin e Shqipërisë, i cili nuk ka ushtruar kontrollin parlamentar për të nxitur transparencën e plotë të buxhetit të shtetit dhe të bashkive, me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe organizatave të tyre në mbarë vendin.
Përmes kësaj thirrje, Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE), Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA) dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) i bëjnë thirrje Qeverisë, Ministrive dhe të gjitha Bashkive në vend, që të fillojnë menjëherë konsultimin dhe planifikimin e buxhetit qendror dhe vendor, me organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët.
Ne jemi të hapur për të mbështetur çdo iniciativë që rrit dhe forcon pjesmarrjen e qytetarëve, të fëmijëve, të rinjve, grave dhe burrave, në  përgatitjen e buxheteve që iu përgjigjen nevojave dhe kërkesave të tyre.
 


Detajet e Lajmit
April 16, 2018
294
Kategoria