
Si të kërkojmë punë?
Hapi i parë i rëndësishëm për të kërkuar punë është të planifikosh strategjinë tënde për të gjetur vendin e punës që përshtatet me dijet dhe aftësitë e tua. Ka raste, kur dijet që ke marr nuk përshtaten me njoftimin e punës që ke parë apo vendin e punës që ke aplikuar. Mos u tremb nga kjo! Shumë punëdhënës ofrojnë trajnim dhe mentorim në vendin e punës, praktikë paraprake apo forma të tjera të integrimit në vendin e punës, ndaj kur aplikon për një vend pune shiko edhe mundësitë që ofron institucioni, kompania apo organizata për trajnim dhe këshillim gjatë punës. Ka raste që për t’ju përshtatur vendit të punës duhet të marrësh kurse shtesë qoftë profesionale apo edhe në universitet. Sot arsimi vazhdues është i lidhur ngushtësisht me tregun e punës, ndaj mos i refuzo asnjëherë mundësitë për të punuar dhe mësuar në të njëjtën kohë.
Vendosni qëllimet – qëllimi përfundimtar kur kërkon punë është që të gjeni një vend pune. Por qëllimi juaj duhet të jetë më i detajuar se kaq. Detajet kanë të bëjnë me punën, kompaninë, vendndodhjen, orët e punës ose çdo gjë tjetër që mund të jetë e rëndësishme për ju.
Bëni një listë – është e pamundur të dini se sa do t’ju zgjasë koha që kërkoni punë, por sigurisht ju nuk doni që të zgjasë përgjithmonë. Që gjithçka të ecë mirë, ju duhet të dini numrin e aplikimeve që keni bërë, numrin e përgjigjeve që keni marrë, numrin e intervistave, takimet me agjencitë e rekrutimit dhe eventeve që keni ndjekur. Duke bërë këtë listë, ju nuk do të ngatërroni intervistat me njëra-tjetrën apo nuk do të bëni të njëjtat aplikime.
Mblidhni informacione – mblidhni informacione për vende të lira pune apo për kompanitë dhe punën që jeni duke kërkuar.
Tregohuni të shkathët – nëse shihni një vend të lirë që ju pëlqen, mos rrini të mendoheni, por kapeni situatën.
Përshtatuni – nëse plani juaj për të kërkuar punë nuk po funksionon, mos vazhdoni të trokisni në të njëjtën derë të vjetër. Bëhuni gati të ndryshoni strategji.
Bëjini këto pyetje vetes, nëse doni të jeni të suksesshëm gjatë kërkimit të punës:
• Pse dua të filloj punë?
• Në çfarë lloj kompanie dua të punoj?
• Ku reklamohen punët që unë kërkoj?
• A i kam unë aftësitë që nevojiten për të bërë këtë punë?
Mos u demoralizoni
Nëse ju e ndieni veten se jeni zhytur në dëshpërim, antipati dhe pasivitet të plotë, atëherë duhet ta nxirrni veten sa më shpejt që të jetë e mundur nga kjo.