Tiranë, 28 Prill 2019 – Shqipëria organizon për herë të parë Samitin e 1-rë Kombëtar të të Rinjve! Nën moton“Perspektiva të reja për Rininë në Shqipëri”, ky Samit do të të angazhojë në dialog të rinjtë, qeverinë, institucionet e pushtetit qëndror dhe lokal, organizatat e shoqërisë civile dhe agjencitë e ndryshme të zhvillimit në Shqipëri për gjetjen e zgjidhjeve praktike që përmirësojnë adresimin e sifdave më të mëdha të të rinjve në Shqipëri.
Samiti organizohet nga Rrjeti Kombëtar i të Rinjve në Shqipëri (ANYN) rrjeti kryesor i të rinjve në mbarë vendin, në bashkëpunim me Child and Youth Policy Hub Albania dhe Aleancën Kombëtare të Studentëve (AKS), me mbështetjen e CRCA Shqipëri dhe Koalicionit për Arsimin në Shqipëri (ACE).
Samiti i 1-rë që do të mbahet më 26 Prill 2019, është eventi i parë kombëtar, që do të drejtohet përgjatë gjithë organizimit të tij vetëm nga të rinjtë! Përgjatë dhe pas përfundimit të tij një rol tepër të rëndësishëm do të luajnë Ambasadorët e Rinisë, të cilët vijnë nga profesione dhe fusha të ndryshme si media, shoqëria civile, arti, kultura, politika, etj. Ata dhe organizatat rinore do të analizojnë në këtë Samit problemet dhe zgjidhjet në përballje direkte me perfaqësuesit e Kuvendit, Qeverisë dhe Bashkive!
Përgjatë Samitit, do të prezantohet publikisht Raporti “Rinia në Shqipëri 2019” si dhe Axhenda Kombëtare e Rinisë 2019-2023, një manifest udhëheqës politik, social, arsimor dhe kulturor për të drejtat e të rinjve në Shqipëri, ku do të analizohen problemet dhe zgjidhjet në përballje direkte me përfaqësuesit e Kuvendit, Qeverisë dhe Bashkive!
Ambasadorët e Rinisë do të zgjedhin në Samit një sfidë, problematikë rinore të adresuar nga të rinjtë përmes Axhendës Kombëtare të Rinisë 2019-2023 dhe përgjatë dy viteve të ardhshme do të bashkëpunojnë më ta për zgjidhjen e tyre.
Samiti i 1-rë Kombëtar i të rinjve, përkon këtë vit edhe me zgjedhjet vendore në Shqipëri, dhe impakti i tij do të forcojë akoma më shumë rolin e të rinjve në politikë-bërjen dhe në proceset vendim-marrëse të vendit. Samiti do të organizohet çdo dy vjet me pjesëmarrjen e të rinjve e të rejave, organizatave të shoqërisë civile që punojnë me të rinjtë, aktivistë, donatorë, akademikë e gazetarë.
Për më tëper informacion ju lutem kontaktoni në adresën e emailit: info@anyn.al