Tiranë 29 Tetor 2014 – ALO 116, Linja Kombëtare e Këshillimit për Fëmijë hapi sot fushatën “Mbaj mend numrin 116-111! Ndihmo një Fëmijë” që ka si qëllim t’i vij në ndihmë fëmijëve dhe adoleshentëve anembanë vendit. Fushata kërkon të bëj së më publik numrin e telefonit 116-111, që është një numër falas për fëmijët dhe i hapur 24 orë në ditë në 7 ditë të javës.
Kjo sfidë synon të sensibilizojë dhe të inkurajojë fëmijët, prindërit, mësuesit dhe profesionistët që punojnë me dhe për fëmijët, si dhe çdo qytetar për shërbimet që Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijët ofron në mbrojtjen e fëmijëve në të gjithë Shqipërinë. ALO 116, si një shërbim dhe model unik, gjendet pranë fëmijëve në disa prej momenteve më të vështira të jetës së tyre.
Kësaj nisme që është bërë publike vetëm në rrjetet sociale do t’i bashkohen fëmijë, prindëri, mësues, edukatorë, përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile, biznesit e çdo qytetar si një mënyrë të ofruari të mbështetjes publike për modelet e shërbimeve që i shërbejnë mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri.
Sfida është e hapur për të gjithë ata që duan t’i bashkohen kësaj fushate sensibilizuese duke ofruar mbështetjen e tyre dhe duke bërë publik numrin 116 111 në ndihmë të fëmijëve.
ALO 116 funksionon falas, 24 orë në ditë në 7 ditë të javës, nëpërmjet dy numrave të telefonit: 116-111 (Telefoni i Ndihmës për Fëmijët) dhe 116-000 (Telefoni për Fëmijët e Humbur në Shqipëri). Ne i ofrojmë çdo fëmije ndihmë emergjente, këshillim psikologjik nëpërmjet telefonit për çdo problem dhe shqetësim që ka, si dhe duke e referuar rastin e tyre për zgjidhje pranë institucioneve shtetërore apo organizatave që punojnë për fëmijët.


Detajet e Lajmit
October 29, 2014
248
Kategoria