
Tiranë, 08 Nëntor 2021 – CRCA/ECPAT Shqipëri hapi sot zyrtarisht në internet Fushatën e Ndërgjegjësimit Kombëtar në Kuadër të Fushatës një mujore të Fjongos Blu në Shqipëri. Fushata online u hap me një mesazh nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla, drejtuar shoqërisë, prindërve dhe mësuesve, duke bërë një thirrje për eleminimin e dhunës ndaj fëmijëve.
Tre ditë më parë CRCA/ECPAT Shqipëri hapi fushatën e muajit “Fjongo Blu”me një protestë përpara selisë së Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar rishikimin e menjëhershwm të Ligjit për të Drejtat e Fëmijës dhe Kodit Penal.
Këtë vit, Muaji i Fjongos Blu, që organizohet në datat 5-25 Nëntor, ka si qëllim kryesor ndërgjegjësimin e prindërve, familjes, shoqërisë dhe institucioneve për të parandaluar çdo formë të dhunës ndaj fëmijëve, kudo ku ajo ndodh. Nga ana tjetër, ky muaj është i rëndësishëm për të informuar fëmijët dhe qytetarët se ku mund të raportojnë ngjarjet e dhunës ndaj fëmijëve, ku mund të kërkojnë ndihmë dhe pse dhuna është kaq e dëmshme për fëmijët.
Çelja e Fushatës Ndërgjegjësuese online po realizohet nga dy figura që gjithmonë janë gjendur në krah të fëmijëve dhe në luftë për të drejtat e tyre: Presidenti i Shqipërisë, Z. Ilir Meta dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Lindita Nikolla.
Muaji Nëntor është muaji i tre ditëve ndër më të rëndësishmet në kalendarin e të drejtave të fëmijëve:
18 Nëntor, Dita Europiane kundër Dhunës ndaj Fëmijëve
19 Nëntor, Dita Botërore kundër Dhunës dhe Shfrytëzimit të Fëmijëve
20 Nëntor, Dita Botërore për të Drejtat e Fëmijëve
Fushata “Fjongo Blu” do të kulmojë me marshimin “Marshojmë së Bashku kundër Dhunës ndaj Fëmijëve” që tashmë është kthyer në traditë kundër dhunës ndaj fëmijëve, në datw 19 nëntor, për t’i thënë NDAL DHUNËS që çdo ditë e më tepër po prek fëmijët dhe shoqërinë tonë.
Për herë të parë në Shqipëri, muaji i “Fjongos Blu” është festuar në 18-19 Nëntor 2020, me një sërë aktivitetesh, përfshi edhe Maratonën Kundër Dhunës ndaj Fëmijëve, të udhëhequra nga Barnahus Shqipëri dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, me mbështetjen e Presidentit të Republikës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, partnerëve kombëtarë dhe ndërkombëtare.
Fushata e Fjongos Blu i ka fillimet e saj në pranverën e vitit 1989, kur Bonnie Finney, njw zonjw nga Virxhinia, humbi nipin e saj, Michael Dickenson. Tre vjeçari vdiq në duart e të dashurit abuziv të vajzës së saj. Bonnie lidhi një fjongo blu në antenën e radios së makinës së saj – duke simbolizuar blunë e mavijosjeve të trupit të nipit të saj – dhe inkurajoi komunitetin ku jetonte që të bënte të njëjtën gjë, për të ndërgjegjësuar shoqërinë mbi dhunën ndaj fëmijëve. Gjatë 30 viteve të fundit, Muaji i Fjongos Blu është kthyer në një ngjarje ndërkombëtare, duke bashkuar komunitetet për të dalë në mbrojtje të fëmijëve. Në Amerikë ai festohet gjatë muajit Prill.