Çdo ditë, mbi 10 vajza e gra, janë viktima të dhunës në Shqipëri!

Tiranë, 18 Nëntor 2019 – Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) dhe CRCA/ECPAT Shqipëri organizojnë për të dytin vit radhazi, Samitin e Vajzave, një event ky që inkurajon vajzat anembanë Shqipërisë që të marrin në konsideratë të ardhmen e tyre në vendimmarrje, duke synuar një përfshirje sa më të gjerë në të gjitha hallkat e këtyre proceseve. 
Samiti i 2-të i Vajzave në Shqipëri, vjen si pjesë e Fushatës Globale #Girl2Leader, fushatë kjo e iniciuar nga Forumi Global i Grave në Politikë (WPL). Në Shqipëri fushata #Girl2Leader zhvillohet për të dytin vit rradhazi dhe në këtë kuadër Samiti vjen nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN), CRCA/ECPAT Shqipëri, Qendra Kombëtare Burimore për të Rinjtë në Shqipëri (YRCA), Child and Youth Policy Hub dhe Koalicioni për Arsimin në Shqipëri, nën kujdesin e veçantë të Aleancës së Këshilltarëve të Rinj Tiranë.
Samiti solli së bashku deputete të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve publike dhe organizatave joqeveritare, medias dhe botës akademike, si dhe shumë vajza të reja. Eventi u mikprit në Sallën e Këshillit bashkiak, Bashkia Tiranë, për të dhënë ndër të tjera edhe një mesazh vlerësimi për punën që kjo bashki ka bërë për vajzat, por edhe për mbështetjen dhe fuqizimin që ky institucion kërkon të vijojë në kuadër të vendimarrjes dhe politikave institucionale.
Në Shqipëri jetojnë mbi 340,000 mijë fëmijë-vajza deri në moshën 19 vjeç, të cilat kërkojnë dhe presin që Qeveria, Bashkitë dhe institucionet e tyre të tregojnë më shumë kujdes dhe vëmendje përkundrejt tyre. Ato kërkojnë që institucionet ligjvënëse dhe ligjzbatuese, politika dhe politikanët, shoqëria shqiptare dhe organizatat joqeveritare të marrin përgjegjësi të reja për kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e vajzave kudo në Shqipëri.
Në Samit theksi do të vendoset edhe mbi një ndër fenomenet më shqetësues për vajzat në Shqipëri, atë të dhunës seksuale.
Sipas raporteve të Policisë së Shtetit, vetëm gjatë vitit 2018 të dëmtuara nga dhuna kanë qëne 3690 gra dhe vajza ose 73.4% të numrit total të viktimave të dhunës. Rezulton se çdo ditë mbi 10 vajza dhe gra, janë viktima të dhunës në Shqipëri. Ndërsa përsa i përket dhunës seksuale, rreth 11 % e fëmijëve në Shqipëri, shumica e tyre vajza.
18 Nëntori shënon edhe Ditën Europiane kundër Dhunës Seksuale tëKëshillit të Europës. Në këtë kuadër vajzat pjesëmarrëse në Samitit do të kërkojnë miratimin e Rezolutës për Parandalimin dhe Dënimin e dhunës Seksuale ndaj Vajzave në Shqipëri, e cila në bashkëpunim me Aleancën e Grave Deputete dhe Nën-Komisionit Parlamentar për Dhunën në Familje, do t’i dorëzohet Kuvendit të Shqipërisë për konsideratë.
Vetëm një vit më parë, Shqipëria nisi traditën e organizimit të Samitet të Vajzave. Qëllimi i Samitit është fuqizimi, angazhimi dhe mbështetja e vajzave nga mosha 15-21 vjeçpër t’u angazhuar që herët në politikë-bërje dhe vendim-marrje, për t’u bërë kështu zëri i vajzave dhe të drejtave të tyre në Shqipëri.
 
Për më shumë info, kontaktoni:
Ervjola Osmanaj
Email: ervjola.osmanaj@crca.al


Detajet e Lajmit
November 18, 2019
271
Kategoria