Të rinjtë në Shqipëri kanë besim tepër të vogël te partitë politike për zgjidhjen e problemeve të tyre

Tiranë, 3 Maj 2019 – Shqipëria mikpriti sot  Samitin e 1-rë Kombëtar të të Rinjve. Samiti organizohet ngaRrjeti Kombëtar i të Rinjve në Shqipëri (ANYN), si rrjeti kryesor i të rinjve në mbarë vendin, në bashkëpunim me Child and Youth Policy Hub Albania dhe Aleancën Kombëtare të Studentëve – AKS, me mbështetjen e CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Koalicionit për Arsimin në Shqipëri – ACE dhe UNFPA Shqipëri, Global Campaign for Education (GCE), Ministrisë së Kulturës, Muzeut Historik Kombëtar.
Samiti pati temë qendrore të tij “Perspektivat e reja për pjesëmarrjen dhe fuqizimin e të rinjve”. Aisolli së bashku të rinjtë në 12 qarqet e vendit, përfaqësues të qeverisë, ambasadorë të Bashkimit Europian dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët diskutuan për problemet dhe zgjidhjet që të rinjtë kërkojnë në Shqipëri në nivel qendror dhe vendor.  
Në pikënisje të Samitit, Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, cilësoi se:” Të rinjtë kanë të gjitha hapësirat për të marrë drejtimin e çdo gjëje që ka të bëjë me zhvillimin e tyre në Shqipëri, dhe kjo është koha e tyre për tu organizuar dhe për ti realizuar vizionet e të rinjve!”
Samiti zhvillohet thuajse 2 muaj përpara zgjedhjeve vendore, në një kohë kur ende partitë politike nuk i kanë publikuar programet e tyre elektorale për rininë. Po ashtu Qeveria Shqiptare planifikon që të rishikojë Planin e Vperimit për Rininë në Shqipëri.
Gjatë Samitit u bënë publike edhe gjetjet kryesore të Anketës Kombëtare “Rinia 2019”, të cilat ndihmuan ndër të tjera edhe  në hartimin e Axhendës Kombëtare të Rinisë 2019-2023 dhe në Raportin e dytë Kombëtar “Të Rinjtë në Shqipëri 2019”.
Anketa Kombëtare tregoi edhe njëherë faktin se janë partitë politike ato që ngushtojnë hapësirat e pjesëmarrjes të të rinjve në jetën politke. Për këtë situatë, Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, theksoi se: ”Ky Samit është një thirrje e hapur për të gjitha partitë poltiike në Shqipëri, që të krijojnë sa më shumë hapësira për të rinjtë në mënyrë që të jenë ata që të vendosin për çështjet e tyre!”
Axhenda Kombëtare është fryt i një procesi të gjerë konsultimesh me të rinjtë dhe të rejat në 12 qarqe të vendit, si dhe nëpërmjet një pyetësori online.
Axhenda kërkon të influencojë programet e partive politike në zgjedhjet e parashikuara vendore në Qershor 2019, si dhe të përmirësojë politikat lokale dhe kombëtare të të rinjve në Shqipëri, duke përfshirë edhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit për të Rinjtë në Shqipëri pas vitit 2020. Gjithashtu, Axhenda do të jetë një dokument udhëheqës për të influencuar të gjitha ligjet, buxhetin, programet dhe aktivitetet për të rinjtë në të gjithë Shqipërinë.
Në këtë event të parë kombëtar një rol tepër të rëndësishëm luajnë Ambasadorët e Rinisë, të cilët vijnë nga profesione dhe fusha të ndryshme si media, shoqëria civile, arti, kultura, politika, etj. Ata kanë marrë përsipër që gjatë dy viteve të ardhshme të promovojnë kauzën e rinisë kudo ku ata punojnë dhe kontribuojnë.
Samiti do të organizohet çdo dy vjet.  Këtë vit ai përkoi me Javën Rinore Evropiane 2019, organizuar nga Komisioni Evropian, Drejtoria e Përgjithshme për Arsim, Rini, Sport dhe Kulturë, në partneritet të ngushtë me Parlamentin Evropian. Samiti i Rinisë është regjistruar në kalendarin e Javës Rinore Evropiane në Portalin Europian të të Rinve, ku më shumë se 100 aktivitete në të gjithë Evropën janë të regjistruara dhe planifikohen të organizohen nga data 29 Prill – 5 Maj 2019.
Për informacione të mëtejshme, ju lutem kontaktoni: info@anyn.al  ose info@crca.al


Detajet e Lajmit
May 3, 2019
247
Kategoria