Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN), shpreh indinjatën e tij lidhur me rastet e përsëritura të dhunës me pasojë humbjen e jetës për vazjat e reja në Shqipëri.
Rasti i sotëm ku një i ri 31 vjeçar vendosi të marrë jetën e një vazje 19 vjeçare, i shoqëruar me një rast të ngjashëm vetëm 6 muaj më parë, janë një këmbanë e madhe alarmi, jo vetëm për insitucionet e vendit por edhe për të gjithë shoqërinë Shqiptare.
Me revoltë dhe shqetësim si çdo i ri sot, ANYN pyet:

Sa vlerë ka jeta, për të rinjtë dhe të rejat në këtë vend?
Çfarë po bëjnë të gjitha institucionet në Shqipëri, për të reduktuar fenomenin marrjes së jetës?

Ende në Shqipëri, vendin që kërkon t’i bashkohet Europës, ka ndikim të qartë mentaliteti se vajzat dhe gratë mund të jenë pronë e burrave.
Ende në Shqipëri, djemtë dhe burrat mund të marrin jetën e një vajze të re dhe ta dhunojnë atë duke qënë se ato janë të pambrojtura nga shteti.
Ende në vendin tonë, nuk kemi shërbime komunitare që të ndihmojmë sa më shumë të rinjtë dhe të rejat të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën e të menduarit dhe informimin.
Përballë kësaj situate të trishtë, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri i kërkon publikisht Kuvendit të Shqipërisë të verë në funksion të gjitha mekanizmat e tij për të zbatuar në mënyrë urgjente Rezolutën “Për dënimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave”. Kjo rezolutë edhe pse është miratuar që në Dhjetor 2017, ende nuk është marrë asnjë angazhim për zbatimin e saj për të parandaluar dhunën dhe krimet për vajzat dhe gratë në Shqipëri.
Referuar raportimeve më të fundit të mediave, se viktima ka kërkuar disa herë mbrojtjen në komisariatin e policisë, ANYN kërkon një hetim të plotë dhe të thellë nga ana e Ministrisë së Brendshme për marrjen e masave dhe përpjekeve që Policia e Shtetit ka bërë për mbrojtjen e vajzës dhe parandalimin e këtij krimi. 
Gjithashtu, kërkohet një hetim i thellë për ligjshmërinë dhe burimin e pronësisë së armës që përdori i riu për të kryer vrasjen.
Nisur nga kjo situatë, kërkojmë nga ligjvënësit shqiptarë që të intensifikojnë akoma më tepër mekanizmat ligjorë për armëmbajtjen pa leje.
ANYN kërkon që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në vend, të ofrojë dhe financojë shërbime komunitare për të parandaluar në mënyrë urgjente krimet me bazë gjinore dhe për t’u ardhur në ndihmë të rinjve dhe të rejave. Instituti i Shëendetit Publik, ende nuk ka asnjë vlerësim të situatës së shëndetit mendor për të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri.
Ministria e Arsimit, duhet menjëherë të reagojë institucionalisht për të ndërtuar një plan të shtrirë në të gjitha hallkat mësimdhënëse për një edukim të shëndetshëm të brezit të ri.
ANYN kërkon gjithashtu nga Qeveria Shqiptare, Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë që të ngrenë urgjentish një Plan Kombëtar për Parandalimin e Dhunës si dhe për Ndërtimin e Shërbimeve Komunitare shumë të domosdoshme në mbarë vendin. 
Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri – ANYN


Detajet e Lajmit
June 9, 2018
353
Kategoria