Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, CRCA/ECPAT Shqipëri, i drejton këtë thirrje të hapur Qeverisë, Deputetëve dhe të gjitha partive politike parlamentare mbi gjendjen e të rinjve në vend!

Tiranë, 12 Gusht 2021 – Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, CRCA/ECPAT Shqipëri i drejtohet me këtë thirrje të hapur, Qeverisë, Deputetëve dhe të gjitha partive politike parlamentare: Riktheni të Rinjtë tanë në Shqipëri!
Kjo kërkesë vjen në një moment kur të rinjtë në vendin tonë prej vitesh kanë humbur shpresën te vendi i tyre dhe dëshirojnë të largohen për një punë më të paguar, për një ekonomi më të qëndrueshme, për arsim më cilësor, për ligje të zbatueshme, për shërbime pa korrupsion, për vlerësim bazuar në aftësitë.
Në të gjitha raportet që analizojnë situatën e të rinjve në Shqipëri gjetja kryesore tashmë prej vitesh ka qenë dhe mbetet përqindja e lartë e të rinjve që kërkojnë të largohen nga vendi. Vetëm një vit më parë, OKB-ja bëri publike faktin se ndërmjet viteve 1990-2020, thuajse 1,2 milionë persona ishin larguar nga vendi, përqindja më e madhe të rinj e të reja. Nëse vazhdohet me këto rritme largimi, në vitin 2100 Shqipëria do të pësojë një tkurrje të popullsisë në masën 52%.
Anketa e Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale rreht 6 muaj më parë, solli faktin se 79% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi dhe 59% e maturantëve po planifikojnë të ikin nga Shqipëria. Nga ana tjetër rreth 95% e të rinjve të larguar për studime jashtë Shqipërisë, nuk dëshirojnë të kthehen më në vendin e tyre.
Sipas të dhënave të mbledhura nga vetë të rinjtë nga “Kontrata Rinore Kombëtare 2021”– e përgatitur nga Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) dhe CRCA/ECPAT Shqipëri,mbi 90% e të rinjve kanë menduar të largohen nga Shqipëria për një jetë, arsimim apo mundësi punësimi më të mira. Ndërkohë që disa javë më parë EUROSTAT raportoi se 78% e aplikantëve për azil jashtë vendit, janë të rinjtë nën moshën 34 vjeç nga Shqipëria.
Këto shifra nuk janë vetëm numra, por ato tregojnë qartë situatën shpresë-humbur që prej vitesh shoqëron të rinjtë e të rejat në Shqipëri.
Ato janë pasqyrë e një ekonomie që nuk punëson me dinjitet të rinjtë; të politikave publike që nuk gjenerojnë asnjë mundësi dhe perspektivë për të rinjtë në vend; të krizës më të gjatë politike në një vend demokratik, për 30 vjet; të punësimeve me mik apo kundrejt korrupsionit; të pagave të padenja; të mungesës së vizionit të politikanëve dhe zyrtarëve publikë për të kuptuar që askush nuk duhet të presë për të gëzuar të drejtat që ju takojnë!
Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, të ndeshur prej vitesh me një situatë të tillë, CRCA/ECPAT Shqipëri i drejtohet Kryeminsitrit të ardhshëm, Kuvendit dhe deputetëve, kryetarëve të partive më të mëdha politike në vend, me thirrjen: Ktheni sytë nga të rinjtë! Shpallni vitin 2022 Viti i Kthimit të të Rinjve në Shqipëri!
Tirana gjatë vitit 2022 do të jetë kryeqyteti i të rinjve Europianë!
Ne mendojmë se ky është një shans i papërsëritshëm që të gjitha institucionet kombëtare dhe ato vendore të kthejnë sytë nga Rinia e harruar. Kjo do të kërkonte jo vetëm një plan ambicioz kombëtar dhe vendor që vendos në qendër të rinjtë, por edhe të rinj e të reja të fuqizuar në çdo institucion për të ndryshuar qasjen që e gjithë qeverisja ka patur ndaj të rinjve në të gjithë këto 30 vjet! Ajo do të kërkonte më shumë hapësira të garantuara për pjesëmarrjen e të rinjve në politikëbërje dhe vendimarrje, ndryshim tërësor të politikave kombëtare dhe vendore për të rinjtë; krijimin e strukturave Rinore në çdo bashki dhe mbi të gjitha buxhet të dedikuar për Qendra Rinore, për organizatat dhe aktivitete Rinore, për fuqizmin e të rinjve në çdo qytet të Shqipërisë.
Sot është dita dhe koha për veprim për të vendosur në qendër të rinjtë e të rejat anembanë Shqipërisë!
***
Për më shumë info, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
Tel: 04 2265741
E-mail: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
August 12, 2021
465
Kategoria