Mbledhjen e Këshillit Bashkiak Tiranë, të datës 09 Prill 2013 e ndoqi si vëzhgues një pjesëtar i stafit të CRCA-s dhe një anëtar i grupit rinor “Lidershipi i të rinjve të Tiranës”. Vëzhguesit nuk hasën probleme për të ndjekur mbledhjen dhe patën bashkëpunimin e stafit të Bashkisë Tiranë. Paraprakisht ishte dërguar një kërkesë nga CRCA në sekretarinë e Këshillit Bashkiak për të ndjekur mbledhjen e radhës.
Ndërkohë, mbledhja e muajit Prill ishte mbledhja e dytë e zhvilluar nga Këshilli Bashkiak për vitin 2013, por e para e vëzhguar nga CRCA, pasi vëzhguesit e saj nuk janë lejuar të ndjekin mbledhjen e muajit Shkurt.
Mbledhjet e Këshillit Bashkiak, sipas ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” neni 31 pika 2 “zhvillohen si rregull, sipas përcaktimit që bën vetë këshilli, por jo më pak se një herë në muaj”, ndërkohë që Këshilli Bashkiak Tiranë kishte më shumë se një muaj pa u mbledhur. Mbledhja e mëparshme është zhvilluar në datën 28 Shkurt.
Njoftimi për datën dhe orën e mbledhjes së Këshilllit Bashkiak së bashku me axhendën e mbledhjes është bërë publik në site-n zyrtar të Bashkisë një ditë përpara organizmit të mbledhjes, më datë 08.04.2013.
Kryetari i Bashkise Tirane, z. Lulzim Basha, ishte prezent vetëm gjatë pjesës së parë të mbledhjes, në diskutimin e projekt vendimit të parë, ndërkohë më pas u zëvendësua nga zv. kryetarja znj. Jorida Tabaku, e cila ishte prezent gjatë gjithë pjesës tjetër të mbledhjes.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak u monitorua nga media dhe u transmetua live në disa stacione televizive.
Projekt-vendimet të cilat u diskutuan dhe u miratuan në këtë mbledhje sipas rendit të ditës ishin :

P/Vendim; Për “Miratimin e detyrimeve financiare që rrjedhin nga granti i ofruar Bashkisë së Tiranës nga Shteti i Katarit për financimin e zbatimit të Projektit “Zgjatimi i Bulevardit verior dhe Rehabilitimin e Lumit të Tiranës” (Faza e Parë)”.
P/Vendim; Për “Zbatimin e Programit të Ekonomik dhe Punësimit “Skema e Fondit të Garancisë” si dhe miratimin e kritereve dhe proçedurave për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë’’.
P/Vendim ; Për “Miratimin e treguesve ekonomikë dhe financiarë të Bashkisë së Tiranës dhe tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2014-2016”.
P/Vendim; Për “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.8, datë 12.10.2011 për “Miratimin e Strukturës organizative të aparatit të Bashkisë së Tiranës” (i ndryshuar)”.
P/Vendim; Për “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.17, datë 28.02.2013 mbi “Politikën e decentralizimit të disa kompetencave ligjore pranë organeve të Njësive Bashkiake të Tiranës si dhe një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.20 datë 30.04.2007 “Për kalimin e disa kompetencave Njësive Bashkiake dhe një ndryshim në numrin e punonjësve të Njësive Bashkiake dhe Drejtorisë së Përgjithshme Nr.1 të Punëtorëve të Qytetit” (i ndryshuar)”.
P/Vendim; Për “Miratim dhënie ambjenti në përdorim Shoqatës Kombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar “Shpresa për Jetën”, me destinacion për Qendër Sociale”.

Në fillim të mbledhjes kryetari i Këshillit Bashkiak përcaktoi se plotësohej kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes, pra shumica e këshilltarëve ishin prezent në mbledhje. Të gjithë këshilltarët prezent në mbledhje ishin dakort me rendin e ditës.
Më pas u kalua në diskutimin dhe miratimin e projekt-vendimeve. P/vendimi 1 shkaktoi shumë diskutime dhe debate mes këshilltarëve të pozitës dhe opozitës. Vlen për tu theksuar se z. Basha informoi këshilltarët se projekti i lidhur me këtë pikë ka qenë publik për gjithë të interesuarit dhe aktualisht gjendet në website-in e Bashkisë. Gjithashtu z. Basha theksoi rëndësinë e miratimit të p/vendimeve vecanërisht nr. 2, 5 dhe 6 të cilët u vinë në ndihmë, të rinjve, fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuar. P/vendimi 1 u miratua me 29 vota pro, ndërkohë këshilltarët e opozitës abstenuan për të votuar këtë p/vendim. Për shkak të debateve për mosdhënien e fjalës nga ana e kryetarit të këshillit bashkiak këshilltarëve të opozitës, u kërkuan 5 minuta pushim nga kryetari, pushim i cili u zgjat në 30 minuta.

Më pas kryetari i këshillit Bashkiak shpjegoi edhe njëherë për këshilltarët praktikën dhe rregullin e zhvillimit të mbledhjes dhe dhënies së fjalës duke theksuar se pas fjalës së kryetarëve të grupeve, këshilltarët nuk kanë të drejtë fjale.
Gjithashtu p/vendimi 2 pati debate mes pozitës dhe opozitës të cilët votuan kundër tij. Ky projekt/vendim i cili nga grupi i këshilltarëve të pozitës dhe LSI u cilësua si i rëndësishëm pasi i vjen në ndihmë punësimit të të rinjve nën 35 vjeç, zhvillimit ekonomik dhe biznesit, u miratua me 29 vota pro, 3 abstenim dhe 20 kundër.
P/vendimi 3 gjithashtu shkaktoi debate mes dy grupimeve kryesore. Ky p/vendim përsëri nuk u votua nga opozita pasi sipas tyre mungonin objektivat e qartë të bashkisë për vitet e ardhshme dhe s’merrnin në konsideratë treguesit e një viti më parë. Nga diskutimet doli se këshilltarët e opozitës s’kishin qenë prezent në diskutimin e p/vendimit në komisionin e ekonomisë dhe financës. Ky p/vendim u miratua me 29 vota pro.
P/vendimi 4 përsëri nuk u votua nga opozita dhe shkaktoi debat mes dy forcave. Ai u votua me 29 vota pro dhe 19 kundra.
P/vendimet 5 dhe 6 nuk patën diskutime, por me konsensusin e grupeve kaluan direkt në miratim. P/vendimi 5 u miratua me 31 vota pro, 16 kundra dhe 1 abstenim. Ndërsa p/vendimi 6 u miratua me votat pro të të gjithë këshilltarëve.
Nga procesi i vëzhgimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak, të datës 9 Prill 2013 rezulton se:

Seanca e mbledhjes së Këshillit Bashkiak u vëzhgua nga 2 përfaqësues të CRCA dhe Lidershipit, me bashkëpunimin e stafit të Bashkisë Tiranë.

Seanca e mbledhjes së Këshillit Bashkiak u transmetua live në disa televizione, që e bën të aksesueshme nga shumë qytetarë mbledhjen e këshillit. Votimi i p/Vendimeve u bë në debat e sipër, dhe shumica e tyre nuk u votuan nga këshilltarët e opozitës.
E gjithë mbledhja u shoqërua me debate ndërmjet grupeve të pozitës dhe opozitës, dhe me komente të politizuara.
Këshilli Bashkiak ka shkelur ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” lidhur me periudhën kohore të zhvillimit të mbledhjeve, pasi mbledhja e radhës është zhvilluar pas më shumë se një muaji nga mbledhja e mëparshme.
Nga debatet mes këshilltarëve rezultoi se këshilltarët e opozitës kishin munguar gjatë diskutimeve të p/vendimeve në disa prej komisioneve të Këshillit Bashkiak.
Ekzistonte kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak e cila shkoi në përputhje me rendin e ditës.
Kryebashkiaku ndoqi pjesën e parë të mbledhjes, diskutimin e projekt vendimit të parë, ndërkohë pjesa tjetër e mbledhjes u ndoq nga zv. Kryetarja.
Shpesh herë komentet e këshilltarëve nuk kishin të bënin me rendin e ditës, dhe kalonin në ngjyrime politike dhe personale. Gjithashtu gjuha e përdorur nga këshilltarët në disa raste ishte joetike.
Disa prej Këshilltarëve nuk e kanë ndjekur gjithë mbledhjen duke u larguar më parë. Disa të tjerë tregonin hapur neglizhencën dhe padurimin për të mbaruar mbledhjen dhe për ti kaluar p/vendimet pa diskutime.
Të gjitha p/vendimet u miratuan por pjesa më e madhe e tyre me votat pro të pozitës dhe me votën kundër ose abstenim të opozitës.
I vetmi p/vendim që u miratua me votën e të gjithë këshilltarëve dhe grupeve kishte të bënte me hapjen e një qendre sociale për personat me aftësi të kufizuar.
Në këtë mbledhje u miratuan 3 projekt/vendime të rëndësishme që lidhen me të rinjtë, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar, përkatësisht nr. 2, 5, 6.
Vendime të rëndësishme për qytetarët, që prekin grupe si fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar janë kaluar direkt në miratim pa u dhënë mundësinë këshilltarëve të interesuar të diskutojnë ose argumentojnë votën e tyre pro apo kundër.
Shpesh herë Moderimi i seancës nga Kryetari i Këshillit nuk u respektua nga të gjithë këshilltarët dhe në disa raste Kryetari nuk u dha fjalën këshilltarëve duke e argumentuar atë.


Detajet e Lajmit
April 18, 2013
426
Kategoria