1311 faqe të pornografisë me fëmijë u raportuan dhe u mbyllën vetëm gjatë tre javëve të fundit! Platforma ISIGURT.AL tregon vlerat e saj në mbrojtjen e fëmijëve online në Shqipëri!

Tiranë 1 Maj 2020 – Vetëm gjatë tre javëve të fundit pranë platformës raportuese ISIGURT.al janë raportuar më shumë se 1300 faqe me përmbajtje pornografi të fëmijëve, të cilat ishin të aksesueshme nga çdo fëmijë në Shqipëri. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi të bëjmë me një rritje ekstreme prej 100 herësh të raportimeve të faqeve të paligjshme të pornografisë me fëmijë.
“Platforma Kombëtare ISIGURT.al e tregoi më së fundi vlerën e saj të vërtetë për marrjen e denoncimeve, trajtimin dhe eleminimin e faqeve me përmbajtje të paligjshme të aksesueshme gjerësisht nga fëmijët në Shqipëri. Pavarësisht numrit tepër të lartë të faqeve të raportuara dhe kufizimeve në të cilat kemi qenë për shkak të Covid19, stafi dhe ekspertët tanë, arritën t’ia dalin mbanë në kohë t’i mbyllin këto faqe, falë edhe bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi me Facebook dhe me Sektorin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit.”- tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.
Pjesa më e madhe e faqeve të raportuara kanë qënë të huaja, por të aksesueshme lehtësisht nga fëmijët në Shqipëri. Po ashtu vihet re një rritje shqetësuese edhe e faqeve në gjuhën shqipe, të cilat shfaqin pornografi me të rritur, por të shikueshme lehtësisht nga fëmijët. Sipas ekspertëve të platformës ISIGURT.al, vetëm gjatë javës që kaloi, ata kanë arritur të mbyllin 36 faqe pornografike në gjuhën shqipe me përmbajtej të dhunshme ndaj fëmijëve.  
Nisur nga kjo rritje alarmante e denoncimeve dhe raportimeve për pornografi me fëmijët, javën e ardhshme, CRCA/ECPAT Shqipëri së bashku me Platformën Kombëtare ISIGURT.AL do të mbajnë një Web-Forum të përbashkët Shqipëri-Kosovë, ku deputete, ekspertë të policisë të të dyja vendeve, përfaqësues nga industria e internetit, gazetarë dhe organizatat kryesore që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, do të diskutojnë në lidhje me këtë fenomen të ri dhe që kërkon adresim urgjent në të gjitha nivelet.
CRCA/ECPAT Shqipëri, prej 15-vjetësh është angazhuar në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve gjatë lundrimit të tyre në internet. Bashkëpunimi me platformat globale si Facebook dhe Google, ka bërë të mundur mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga dhuna, bulizmi dhe shfrytëzimi në internetedhe në Shqipëri, ndërkohë që autoritetet mbeten ende tepwr larg mbrojtjes së fëmijëve nga krimet seksuale në internet.
Për më shumë informacion apo për të denoncuar, kontaktoni:
Portali www.ISIGURT.AL
Email: isigurt@isigurt.al