Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Raporti i përvitshëm “Rinia në Shqipëri“, tregon se të rinjtë vazhdojnë të jenë ende tepër larg vëmendjes së Qeverisë dhe Bashkive në Shqipëri

Tiranë, 12 Gusht 2019 – Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri , Koalicioni për Arsimin dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, bazuar në të dhënat e raportit të përvitshëm “Rinia në Shqipëri“ të mbledhura nga Laboratori i Politikave për Fëmijët dhe të Rinjtë , evidentuan se, pavarësisht protestave studentore, Qeveria dhe Bashkitë në Shqipëri vazhdojnë të mos t’i kenë të rinjtë në qendër të vemendjes së politikave dhe programeve publike.
“Që nga Raporti i vitit të kaluar, thuajse asgje nuk ka ndryshuar. Për më tepër ne shohim fusha ku Qeveria dhe bashkitë kanë dështuar totalisht apo nuk kanë punuar fare për rininë“-tha Ervjola Osmanaj, Presidente e Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri.
Raportin i 2-të Kombëtar “Rinia në Shqipëri”, sjell shifra dhe fakte të situatës së rëndë dhe të pashpresë në të cilën ndodhen të rinjtë në Shqipëri. Ai bazohet në intervistat direkte me të rinjtë dhe plotësimin e pyetësorëve nga mbi 1000 të rinj në të 12 qarqet e Shqipërisë, si dhe vlerësimin e impaktit dhe ndryshimeve që kanë sjellë programet dhe politikat publike gjatë vitit 2018-2019.
Sipas raportit, rreth 94 % e të rinjve janë shprehur se nuk kanë asnjë shpresë për zgjidhjen e problemeve të tyre, si nga institucionet qëndrore ashtu edhe ato lokale. Rreth 39% e të rinjve  intervistuar, kanë vlerësuar se papunësia është problemi kryesor me të cilin përballen të rinjtë në jetën e tyre, ndërkohë që në raportin e vitit të kaluar, kjo vlerë ishte rreth 30 %.
Raporti sjell një realitet të zymtë edhe përsa i përket problemeve të të rinjve jo vetëm me institucionet lokale dhe qëndrore, por edhe me besueshmërinë ndaj politikës në Shqipëri. Rreth 89% e të rinjve deklarojnë se bashkitë nuk janë aspak miqësore me të rinjtë dhe thuajse 57% e të rinjve e vlerësojnë punën e tyre për rininë me zero pikë. 
Raporti gjithashtu tregon se të rinjtë kanë një nivel tepër të lartë të mosbesimit ndaj politikës në Shqipëri. Rreth 62 % e të rinjve shprehen se nuk besojnë tek asnjë grupim politik, për të trajtuar problemet dhe për të bashkëpunuar me të rinjtë.  Rreth 84 % e të rinjve shprehen se partitë politike janë aspak apo shumë pak të hapura për të zgjidhur problemet e të rinjve, duke u shprehur se partitë politike vetëm në 35 % të rasteve konsultohen me të rinjtë vetëm gjatë fushatave elektorale.  
Raporti i 2 Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2019” ka si qëllim kryesor evidentimin e problemeve të të rinjve në të gjithë Shqipërinë, duke u fokusuar si në çështjet vendore ashtu edhe ato kombëtare përfshirë edhe rolin e partive politike.
Në prezantimin e tij, Altin Hazizaj, Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri,  theksoi se “Ky Raport vjen në një moment shumë domethënës për Shqipërinë dhe për reflektimin që duhet të bëjnë të gjithë institucionet vendore dhe qëndrore për të rinjtë në Shqipëri. Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, ky raport duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi për Qeverinë dhe Bashkitë. Qeveria dhe çdo bashki duhet të ketë plane veprimi për të rinjtë dhe programe për mbështetjen dhe fuqizmin e të tyre, që t’i themi ndaj eksodit të të rinjve nga Shqipëria.“
Në të gjithë botën jetojnë rreth 1.8 miliardë të rinj, por shumë prej tyre jetojnë në varfëri, pa arsim dhe të harruar nga qeveritë e tyre. Dita Ndërkombëtare e Rinisë, që u shpall nga OKB në vitin 1999, kërkon që të sjellë në vemendjen e shteteve dhe qeverive se të rinjtë janë një forcë e jashtëzakonshme për të ndryshuar dhe përmirësuar vendin dhe shoqërinë ku ata jetojnë. Asnjë shtet nuk mund të avancojë nëse nuk kujdeset për të rinjtë e tij. Në Shqipëri, Dita Ndërkombëtare e Rinisë organizohet nga CRCA/ECPAT Shqipëri, ANYN dhe ACE që prej vitit 2012.
Për çdo informacion, kontaktoni:   
Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA
E-mail: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
August 12, 2019
401
Kategoria