
Tiranë, 6 Shtator 2019 – Raporti i Organizatave të Shoqërisë Civile për zbatimin e Platformës për Veprim të Pekinit në Shqipëri, Pekin +25, ka sjellë përmes shifrash dhe fakteshsituatën në Shqipëri sa i takon respektimit dhe zbatimit në praktikë të të drejtave të grave, fuqizimit të tyre dhe arritjes së barazisë gjinore. Raporti paraqiti opinionin e një grupi organizatash të shoqërisë civile mbi zbatimin nga ana e shtetit shqiptar të Deklaratës dhe Platformës për Veprim të Pekinit, në kuadër të 25 vjetorit të hartimit të saj. Përgatitja e tij u bazua në informacionin e dërguar nga shteti shqiptar për të njëjtin qëllim, përmes Raportit Kombëtar për Zbatimin e Platformës për Veprim Pekin + 25”, dhe shqyrtoi më në detaje pjesë të caktuara të tij, nën secilën prej fushave shqetësuese si, zhvillimi gjithëpërfshirës, çrrënjosja e varfërisë, mbrojtja sociale dhe kujdesi shoqëror, liria nga dhuna, stigma dhe steriotipet, pjesëmarrja, llogaridhënia etj.
Ky raport u përgatit nga katër organizata anëtare të Rrjetit të Monitorimit të Dhunës me Bazë Gjinore: Shoqata e Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare (SHGPAZ) Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHPZH) Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH).
Të dhënat e studimeve dhe raporteve të ndryshme kanë sjellë realitetin se në Shqipëri;
1 në 2 gra ose 52.9% e grave të moshës 18-74 vjeç kanë përjetuar “ndonjëherë” një apo më shumë nga pesë llojet e ndryshme të dhunës gjatë jetës së tyre (dhuna nga partneri intim, dhuna gjatë marrëdhënies dashurore, dhuna nga jo–partneri, ngacmimi seksual dhe/ose përndjekje);
75.4% e grave e raportuan dhunën në familje/martesë ndaj grave si një problem madhor në Shqipëri dhe 70.8% e grave e konsiderojnë dhunën seksuale ndaj grave si një problem madhor;
Këshilli i Evropës paralajmëron se “shkalla e dhunës dhe abuzimit ndaj PAK është dukshëm më e lartë në krahasim me popullsinë e përgjithshme, dhe akoma më e lartë te gratë me aftësi të kufizuara.
Analiza e detajuar që ky raport i bën situatës së grave dhe vajzave në Shqipëri, përveç problematikave dhe mangësive që vijojnë, solli edhe rekomandimet që organizatat e shoqërisë civile i drejtojnë institucioneve përgjegjëse. Sipas Raportit “përpjekjet nga ana e shtetit mbeten të kufizuara kryesisht për trajtimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare, duke mos u shtrirë gjerësisht në trajtimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave.”
Shqipëria nevojitet të përmirësojë në mënyrë të konsiderueshme mbrojtjen e grave në politikë me vendosjen e kodeve të sjelljes dhe udhëzimeve pozitive mbi rolin dhe pjesëmarrjen e grave në politikë. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë para zgjedhjeve të vitit 2008, krijuan një kuotë të re minimale gjinore prej 30 për qind. Nga 7 gra të zgjedhura në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2005, në vitin 2017 ka pasur 39 gra parlamentare, një nga numrat më të lartë të grave deputete që nga rënia e komunizmit, ndërsa aktualisht janë 36 gra. Por gjuha e urrejtjes gjinore dhe fyerjet verbale ndaj grave në politikë e parlament kanë qënë prezente. Nuk ka pasur raste të ngritura pranë gjykatave ose autoriteteve përkatëse, siç janë Autoriteti Shqiptar i Mediave Audiovizive (AMA) mbi dhunën politike verbale ndaj grave politikane, pasi shumica e akuzave vijnë nga udhëheqësit meshkuj të partive kryesore politike. Aleanca e Grave Parlamentare nuk ka mundur të trajtojë seriozisht çështje të tilla, as në Parlament as publikisht, për shkak të mungesës së mbështetjes bipartizane dhe mbrojtjes së pozitave politike të partive të tyre edhe nga gratë deputete.
Organizatat ndër të tjera i kanë rekomanduar Qeverisë shqiptare krijimin e një Koordinatori Kombëtar për Barazinë Gjinore të shoqëruar me një Komision Kombëtar për të Drejtat e Grave dhe Vajzave Shqipëria duhet të forcojë llogaridhënien gjinore nga çdo zyrtar publik i zgjedhur dhe të përmirësojë të dhënat e politikanëve të lartë në drejtim të respektimit të të drejtave të grave dhe vajzave, duke mbështetur rolin e OSHC-ve.
Në media, Shqipëria duhet të marrë masa serioze për të mbështetur në çdo aspekt gazetaret dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë, ndërsa Parlamenti dhe Qeveria kanë një detyrë të veçantë për të garantuar të drejtat dhe mbrojtjen e tyre. Një raport thekson se: “Gratë përfaqësojnë shumicën e gazetarëve në Shqipëri (51.7%), me një moshë mesatare 32.54 vjeç; gjysma e gazetareve kishin moshë më të re se 31 vjeçe dhe shpesh kanë një diplomë në gazetari apo fushë të ngjashme studimi (72.4%).Dy raporte të njëpasnjëshme në vitin 2016/17, nga Rrjeti i Grave Barazi në Vendimmarrje, konstatuan se “Burrat dominojnë panoramën mediatike shqiptare.
Por sulmet ndaj gazetareve janë rritur gjatë dy viteve të fundit, duke u ndalur në ato investigative. Në mbrëmjen midis datave 29-30 gusht 2018, shtëpia e një gazetareje të njohur investigative, e cila njihet për investigimin e lidhjeve të qeverisë me bosët e drogës dhe krimin e organizuar, u mbulua nga plumbat ndërsa fëmijët dhe familja e saj ishin në gjumë. Edhe pse ka kaluar pothuajse një vit që kur krimi është raportuar, askush nuk është arrestuar. Policia nuk ka arritur të gjejë ndonjë të dyshuar në rastin e saj. Me tërheqjen e partisë kryesore të opozitës nga Parlamenti në shkurt të këtij viti, u organizuan disa protesta kundër qeverisë, disa prej tyre të dhunshme. Megjithatë, policia nuk arriti të njoftojë gazetarët, shumica e të cilëve ishin femra, për të qenë të përgatitur në rast se do përdorej gaz lotsjellës kundër protestuesve. Kur gjatë protestave u përdor gaz në më shumë se një rast, u raportua se disa gazetare ishin lënduar.
Media sociale në Shqipëri është duke u bërë një burim i lajmeve të shpejta por edhe të rreme. Portretizimi i grave ndryshon në imazhe të ndryshme konkurruese, nga ato ekstremisht të seksualizuara deri tek lideret e forta në arenën politike kombëtare dhe ndërkombëtare. Gratë dhe vajzat e reja shpesh janë ankuar për çështjen e sigurisë së tyre në internet. Një raport vjetor përmbledhës i Qendrës Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri, konstatoi se më shumë se 60 për qind e ankesave të bëra në platformën online www.SIGURT.al ishin nga vajzat dhe gratë, kryesisht duke u ankuar për gjuhën e urrejtjes dhe bullizmit në internet.
OJQ në këtë raport përfshijnmë edhe këto fusha në të cilat rekomandohet se, Shqipëria duhet të përmirësojë në mënyrë të konsiderueshme mbrojtjen e grave në politikë me vendosjen e kodeve të sjelljes dhe udhëzimeve pozitive mbi rolin dhe pjesëmarrjen e grave në politikë.
Gjithashtu Shqipëria duhet të forcojë llogaridhënien gjinore nga çdo zyrtar publik i zgjedhur dhe të përmirësojë të dhënat e politikanëve të lartë në drejtim të respektimit të të drejtave të grave dhe vajzave. Në këtë drejtim, Qeveria duhet të mbështesë rolin e OSHC-ve në përcaktimin e treguesve të barazisë gjinore, hartimin e raporteve të monitorimit dhe vlerësimit, publikimin e të dhënave të rezultateve për çdo bashki dhe të një indeksi kombëtar mbi avancimin e grave dhe vajzave në të gjithë Shqipërinë, të cilat vetëm mund të përmirësojnë situatën aktuale.
Përsa i përket fushës së mediave, Shqipëria duhet të marrë masa serioze për të mbështetur në çdo aspekt gazetaret dhe pjesëmarrjen e tyre të barabartë në media. Parlamenti dhe Qeveria kanë një detyrë të veçantë jo vetëm për të garantuar të drejtat dhe mbrojtjen e tyre, por gjithashtu të mbështesin gratë për t’u organizuar në sindikata dhe organizata të pavarura, të publikojnë punën e tyre për barazinë gjinore dhe integrimin gjinor në media, ndërkohë që punojnë me Shkollën e Gazetarisë dhe organizatat e Gazetarëve për të fuqizuar gratë dhe vajzat për raportimin dhe portretizimin më të mirë të grave dhe çështjeve gjinore në mediat kryesore, online dhe sociale.
Nëpërgatitjen e Raportit kontribuan gjithashtu edhe Fondacioni “Mary Ward Loreto”, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, “Të Ndryshëm dhe të Barabartë”, Qendra për të Drejtat e Gruas Rome, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, Qendra për Zhvillimin e Grave Rurale, Rrjeti i Fuqizimit të Grave në Shqipëri, Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”, Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, Shoqata e Grave me Probleme Sociale, Shoqata “Unë Gruaja”, Shoqata “Gender, Paqja, Siguria”.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Altin Hazizaj
Drejtor Ekzekutiv i CRCA / ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al