
Martini sapo ka mbushur 6 vieç. Ai ka ndjekur arsimin parashkollor në një prej institucioneve publike të Tiranës, por braktisja nga prindi kujdestar dhe proçedura e re e regjistrimit për në klasën e parë nëpërmjet aplikimit tek platforma e-Albania i rrezikon atij seriozisht gëzimin e së drejtës për arsim publik falas.
Vajza e vogël që do të regjistrohej në klasë të parë dhe jeton në zonën e Astirit, e ka të pamundur që prindërit e saj të hyjnë në aplikacionin e-albania, pasi kjo zonë nuk është e përfshirë në këtë platformë.
Ndërsa 6 vjecari tjetër, nuk arrin dot të regjistrohet në shkollë, pasi rruga në të cilën banon ndodhet në një zonë e cila ndahet midis dy njësive administrative, njësisë 9 dhe njësisë 2, dhe të dyja këto njësi, nuk përfshijnë në aplikacion banesën e fëmijës.
Këto raste, janë ankesat e prindërve pranë CRCA/ECPAT Shqipëri, lidhur me regjistrimin në klasë të parë të fëmijëve vetëm nëpërmjet aplikacionit e-albania.
Tiranë, 18 Qershor 2021 – Vetëm dy ditë më parë, Qeveria njoftoi vendimin e saj se regjistrimi i të gjithë fëmijëve që nisin për herë të parë shkollën, do të bëhet nëpërmjet platformës e-Albania. Por ndërsa shumë familje këtë mënyrë regjistrimi e shohin si një thjeshtësim të procedurave, nuk duhet të harrojmë se ka shumë familje të tjera që për shkak të kushteve social-ekonomike, nivelit të ulët të arsimimit dhe varfërisë do të hasin probleme në regjistrimin e fëmijëve në shkollat publike.
Shifrat më të fundit të INSTAT tregojnë se në Shqipëri 16.7% e familjeve nuk kanë akses në internet. Gjatë vitit 2020, vetëm 83.3% e familjeve shqiptare kishin akses në internet, krahasuar me 82.2% një viti më parë. Nëse marrim për bazë vetëm statistikat zyrtare, Qeveria shqiptare ka pranuar se le jashtë skemës së regjistrimit thuajse 17% të familjeve dhe fëmijëve të tyre. Vendimi më I fundit i Qeverisë duket qartazi që në gjendjen aktuale le jashtë të drejtës së arsimimit të gjithë fëmijët që jetojnë në varfëri, ata që i minoritetit Rom dhe Egjyptian, dhe ata që ndodhen në zona të thella të Shqipërisë, ku përdorimi i internetit është shpesh i paarritshëm.
CRCA/ECPAT Shqipëri është thellësisht e shqetësuar për këtë vendim të njëanshëm të Qeverisë, I cili shkel haptazi të drejtën e fëmijëve për arsimim, një e drejtë kjo që garantohet nga Kushtetuta e Shqipërisë, Konventa për të Drejtat e Fëmijës dhe Ligji për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës. Për më tepër vendimi është marrë vetëm 1 ditë para hapjes së regjistrimeve në shkolla, pa një konsultim paraprak me shoqërinë civile, sindikatat e arsimit dhe shoqatat e prindërve, pa asnjë fushatë infromimi nga institucionet përkatëse, gjë që ka krijuar ç’orientim dhe konfuzion në shumë familje.
Janë 61.445 familje në vendin tone që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike. Sasia e ndihmës cash që Qeveria shqiptare jep për një familje është deri në shumën 8,000 Lek, e cila e bën të pamundur për ta pajisjen me një kompjuter, smartphone apo çdo lloj teknologjie nga ku mund të regjistrohen në e-Albania. Të dhënat e Bankës Botërore ndërkohë kanë parashikuar se pas periudhës së Covid -19, rreth 41.5% e shtetasve shqiptarëve do të jetojnë në kushte të varfërisë ekstreme, me më pak se 5,5 dollarë për person në ditë. Përtej kësaj, një pjesë e prindërve që vijnë nga komunitete të margjinalizuara janë të paregjistruar ende në gjendjen civile, ndërsa ka një numër jo të vogël të fëmijëve që jetojnë me gjyshërit apo të afërm, ndërsa prindërit i kanë në emigracion apo i kanë braktisur fëmijët tërësisht.
Nisur nga kjo situatë që rrezikon të kthehet në një shkelje serioze të së drejtës bazë të arsimimit falas, të paktën të 3600 fëmijëve të klasës së parë anembanë Shqipërisë, CRCA/ECPAT Shqipëri i kërkon Qeverisë shqiptare që të rishikojë menjëherë vendimin e saj, duke krijuar mundësi alternative të regjistrimit të fëmijëve. Arsimi është një e drejtë për fëmijën dhe një detyrim për Qeverinë për ta ofruar falas atë! Ndërkohë që masa më e fundit, ngarkon kostot e arsimimit të fëmijëve te familjet shqiptare. Kjo në bindjen tonë është e padrejtë!
Nga ana tjetër ne i kërkojmë Komisionit të Mjeteve të Informimit dhe Edukimit në Kuvendin e Shqipërisë, që të thërrasë një seancë dëgjimore urgjente me Ministren e Arsimit dhe shoqërinë civile, për të gjetur zgjidhje mbi këtë situatë të paprecedentë të krijuar që shkel hapatzi të drejtën e arsimimit të fëmijëve në Shqipëri.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
Tel: +355 675002025
E-mail: crca@crca.al