Tiranë, 26 tetor 2018 – Dita e djeshme, 25 Tetori, shënoi edhe ditën e fundit në të cilën Qeveria Shqiptare duhet të kishte miratuar Draft-Buxhetin vjetor dhe atë afatmesëm 2019-2021. Ndërsa kjo gjë nuk ka ndodhur, organizatat tona shprehen të shqetësuara lidhur me transparencën dhe moskonsultimin e Draft-Buxhetit të Shtetit me qytetarët dhe grupet e interesit. Shqetësimi ynë qëndron në faktin që Qeveria Shqiptare nuk i është përgjigjur aspak detyrimit ligjor për konsultimin dhe miratimin në kohë brenda afateve të parashikuara në Ligjin nr. 9936, neni 25, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.
Buxheti i shtetit është buxheti për çdo qytetar shqiptar!
Të gjitha ministritë e linjës që duhet të përgatisin buxhetin, në 6 mujorin e parë të vitit duhet të konsultohen gjerësisht me të gjitha grupet e interesit dhe qytetarët mbi nevojat dhe vlerat e këtij buxheti. Ministria e Financave dhe Ekonomisë prej muajit Shkurt 2018 ka ndarë me ministritë e linjës dhe të gjitha bashkitë në Shqipëri, metodologjinë e përgatitjes së buxhetit vjetor dhe atë afatmesëm në nivel lokal dhe qëndror. Udhëzuesi për përgatitjen e buxhetit, i hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk është konsultuar në asnjë moment me organizatat e shoqërisë civile.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, zhvilloi në datën 30 prill 2018, një takim konsultues mbi nevojat e grupeve të ndryshme të interest, në fokus të kësaj ministrie, takim, por asnjëherë nuk u bë publik Draft-Buxheti i kësaj ministrie. Një tjetër takim kjo Ministri e zhvilloi edhe dje, më dt 25 tetor, duke konsultuar draft-buxhetin e saj me përfaqësuesit e shoqërisë civile, gjë që përgëzohet nga të gjitha organizatat tona. Por një situatë e tillë nuk ndodhi në asnjë institucion ministror tjetër duke shënuar kështu edhe rastin e shkeljes së ligjit nga ana e tyre.
Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE), Qendra për të Drejtat e Fëmijëve (CRCA) dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë (ANYN), kërkojnë përmbushjen e detyrimeve ligjore që Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë duhet të tregojnë “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, neni 25 i Ligjit nr. 9936, ku thuhet shprehimisht se: Ministria e Financave organizon takime me njësitë e qeverisjes vendore për programin buxhetor afatmesëm. Njësia përgjegjëse për buxhetin, në Ministrinë e Financave, zhvillon konsultime me shoqërinë civile në procesin e programimit buxhetor.
Lidhur me këtë mungesë konsultimi të buxhetit vjetor dhe afatmesëm në nivel qëndror, ne shprehim shqetësimin e thellë, ndër të tjera edhe për Kuvendin e Shqipërisë, i cili nuk ka ushtruar kontrollin parlamentar për të nxitur transparencën e plotë të buxhetit të shtetit, me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe organizatave të tyre në mbarë vendin.
Përmes kësaj deklarate publike, Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE), Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA) dhe Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN) i bëjnë thirrje urgjente Qeverisë, që të respektojë ligjin për konsultimin e Buxhetit të Shtetit me organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët.
Ne jemi të hapur për të mbështetur çdo iniciativë që rrit dhe forcon pjesëmarrjen e qytetarëve, të fëmijëve, të rinjve, grave dhe burrave, në përgatitjen e buxheteve që iu përgjigjet nevojave dhe kërkesave të tyre.
Për më shumë informacion, kontaktoni: info@crca.al