Qeveria e ardhshme të ketë të paktën 30% gra!

Qeveria e ardhshme të ketë të paktën 30% gra!

Tiranë, 1 Korrik 2013 – Ndërkohë që Partia Socialiste dhe aleatët e saj kanë nisur negociatat mbi përbërjen e kabinetit qeveritar të koalicionit të majtë, i cili do të marr detyrën në muajin shtator të këtij viti, një rëndësi të posaҫme paraqet respektimi i Ligjit për Barazinë Gjinore dhe konventave ndërkombëtare, pjesë e së cilave është Shqipëria.

Deri më tani nuk dihet zyrtarisht se se si po proçedohet për përzgjedhjen e kabinetit të ardhshëm dhe se sa të përfshira janë gratë në këtë proces vendim-marrës.  Nisur nga kjo mungesë transparence dhe nga eksperiencat e mëparshme, kur gratë dhe vajzat kanë qenë gjithmonë të nën-përfaqësuara në Qeveri dhe qeverisje,  Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë i kërkon publikisht Partisë Socialiste, si forca fituese e zgjedhjeve parlamentare, të respektojë dhe zbatojë kuotën gjinore 30% në përbërjen e qeverisë së ardhshme.

Ligji ‘Për barazinë gjinore në shoqëri’ në nenin 15 paragrafi 1 thekson: “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe në institucionet e tjera publike arrihet kur: a) sigurohet përfaqësim në masën mbi 30 për qind për secilën gjini, përfshirë edhe në organet e tyre drejtuese.”

Partitë kryesore politike kanë një historik të gjatë të mos-zbatimit të ligjeve për barazinë gjinore dhe premtimeve të tyre elektorale. Kuota gjinore nuk u zbatua gjatë zgjedhjeve të fundit, çka solli edhe një numër të vogël të grave që do të jenë deputete të parlamentit të ardhshëm. Rezulton se në Kuvendin e ardhshëm do të kemi 24 gra deputete, pra rreth 17%, çka është ende shumë larg kuotës gjinore minimum 30 % të synuar dhe premtuar nga partitë politike.

Nisur nga sa më sipër, Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, i kërkon Partisë Socialiste dhe të gjitha partive politike të koalicionit të majtë:

  1. Të zbatojnë kuotën gjinore 30% të përfaqësimit të grave në qeverinë e ardhshme (5 ministre gra) që rrjedh nga Ligji ‘Për barazinë gjinore në shoqëri’;
  2. Të ndërmarrin një proces demokratik dhe transparent vendim-marrjeje për përbërjen e kabinetit të ardhshëm qeveritar;
  3. përmbushin angazhimet e tyre publike në mbështetje të grave dhe vajzave në vendimmarrje, përmes zbatimit të ligjit dhe vendosjes së standartave të reja të arritjes së barazisë gjinore në Shqipëri;

Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë shpreh bindjen e tij sezbatimi i kërkesave tona për respektimin e ligjit dhe të të drejtave të grave janë mënyra më e mirë për të dëshmuar seriozitetin e premtimeve politike të partive fituese në zgjedhje dhe do të tregojë sesa të zhvilluar dhe demokratik doni ta bëni vendin dhe shoqërinë tonë! 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL