
Tiranë, 16 Maj 2023 – Shkollat nuk janë thjesht një ndërtesë! Ato janë komunitete shoqërore që ndërtojnë qytetarinë, nëpërmjet dijes, arsimimit, gjithëpërfshirjes dhe edukimit! Çdo shkollë duhet të jetë e sigurt për çdo fëmijë, ndërkohë që nuk ka dy fëmijë njësoj! Ndaj trupa drejtuese dhe arsimtarët duhet jo vetëm të jenë të aftë e të përgatitur për t’ju përgjigjur realiteteve të fëmijëve, vështirësive të tyre dhe problemeve të komunitetit ku ata jetojnë! Përpos kësaj ata duhet të jenë të pajisur me sjellje, mjete dhe mekanizma, për t’ju lehtësuar barrën që sjellin fëmijët në shkollë.
Sot, një adoleshent në Gramsh u vra pak metra larg shkollës ku mësonte! Mediat dhe të intervistuarit deklaruan se djali ishte futur në mes të dy adoleshentëve që po ziheshin, për të ndalur zënkën ndërmjet tyre. Ai është sot heroi i të gjithë nxënësve, të rinjve, por edhe komunitetit ku jeton, sepse guxoi të vepronte për të parandaluar një ngjarje, që shkolla nuk ia doli mbanë ta zgjidhte!
Për ne si CRCA/ECPAT Shqipëri, ishte vërtetë e rëndë të lexonim deklaratat e autoriteteve publike përgjegjëse për arsimin, të cilat nuk u fokusuan tek fakti që kjo shkollë nuk ofroi mbrojtje, siguri dhe garanci për raportimin e konfliktit midis të rinjve, me sa duket as mekanizëm për zgjidhjen e konflikteve, por nxituan të deklaronin se ngjarja ndodhi jashtë oborrit të shkollës, pra në rrugë, sikur fëmijët të mos kishin dalë nga shkolla pak minuta më parë dhe sikur zënka tragjike të mos ishte “gatuar” në shkollë!
Ky lloj largimi i përgjegjësisë së shkollës dhe trupës së saj, përfshi edhe rolin që duhet të luajnë autoritetet qëndrore të arsimit, nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve, përkundrazi ia kalon ato komuniteteve të vogla, familjeve, prindërve dhe fëmijëve, duke i lënë ata viktima të një krimi pa zgjidhje! A nuk janë autoritetet vendore dhe qëndrore ato që duhet të mbështesin familjet, fëmijët dhe prindërit, që përkundër çfarë ka ndodhur, duhet t’ju tregojnë se përsëri ka zgjidhje! A nuk e kanë për detyrë autoritetet qendrore dhe vendore, që të analizojnë këtë ngjarje me humbje jete të një fëmije, dhe përtej përgjegjësisë, të japin zgjidhje!
Qasjet e gabuara nuk ndihmojnë askend, ndaj ne si CRCA/ECPAT Shqipëri e ftojmë Ministrinë e Arsimit dhe Ministren Kushi, që të reflektojë për këtë ngjarje. Ne i rekomandojmë asaj të ulet e të bisedojë me fëmijët, shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve, OSHC-të dhe komunitetin në këtë zonë, ku rrallë ndodhin krime, dhe së bashku të ridimensionojmë rolin që shkolla duhet të luajë për sigurinë e fëmijëve, trajtimin e agresivitetit mashkullor, forcimin e komunikimit dhe sjelljeve pozitive ndërmjet adoleshentëve, e mbi të gjitha të rolit të trupës mësimore në komunitet, kur ndodhin krime ndaj fëmijëve apo familjes.
* * *