
Elbasan, 16 Shtator 2015- Këshillii Qarkut dhe Bashkia Elbasan në bashkëpunim me CRCA Shqipëri, organizuan sot në sallën e takimeve të Këshillit të Qarkut workshopin “Aksesi i fëmijëve rom në shërbimet e fëmijërisë së hershme”. Takimi kishte si qëllim të sillte së bashku të gjithë aktorët kryesorë për të diskutuar sfidat e vitit të parë dhe zgjidhje që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës të fëmijëve rom, të prezantojë gjetjet e vëzhgimit “Aksesi i fëmijëve rom në shërbimet e fëmijërisë së hershme” si dhe të angazhojë të gjithë aktorët për “Prioritetet për arsimin parashkollor të fëmijëve rom në Qarkun Elbasan”. Workshopi u organizua me mbështetjen e Kryetarit të Këshillit të Qarkut Elbasan që mikëpriti këtë aktivitet dhe Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, z. Qazim Sejdini.
Workshopi i sotëm u zhvillua në kuadër të nismës së UNICEF dhe CRCA Shqipëri “Çdo Fëmijë Rom në Kopsht”. Në këtë workshop përfaqësuesit e institucioneve publike dhe shoqërisë civile shprehen angazhimin e tyre për të vazhduar punën në mbështetje të komunitetit rom dhe veçanërisht për integrimin e fëmijëve 3-6 vjeç në kopsht, si edhe dolën me një sërë problematikash për tu adresuar për të ardhmen.
Drejtor i CRCA Shqipëri, në fjalën e tij të hapjes tha se “Zhvillimi i bashkëpunimit me vendim-marrësit (Parlamentin, autoritetet lokale dhe qëndrore, Këshillat e Qarqeve), organizatat rome dhe institucionet e të drejtave të njeriut është një parakusht për forcimin e rolit dhë përpjekjeve të tyre në përfshirjen e fëmijëve rom në arsimin parashkollor”. Gjithashtu gjatë fjalës së tij Z.Hazizaj theksoi faktin se familjet e komunitetit Rom duhet të fuqizohen dhe mobilizohen me qëllim angazhimin aktiv të tyre për të dialoguar me qeveritë lokale dhe ofruesit e shërbimeve.
Z. Bukurosh Stafa, Kryetar i Këshillit të Qarkut Elbasan theksoi faktin që komuniteti rom është në qendër të vëmendjes së politikave të qarkut. “Këshilli i Qarkut Elbasan ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për zbatimin e strategjise së dekadës rome dhe do të vijojë të mbështesë politikat për këtë komunitet”. Gjithashtu, sipas z. Stafa qarku ka marrë masa për evidentimin e nevojave të familjeve rome në përgjithesi dhe fëmijeve të komunitetit rom në veçanti.
Z. Qazim Sejdini, Kryetar i Bashkisë Elbasan tha se: “Duhet të merren masa dhe të shtohen rastet e sukseshme të regjistrimit dhe frekuentimit të fëmijëve jo vetëm në kopshte por në të gjitha nivelet e sistemit arsimor. Duhet të promovohen të gjitha praktikat e sukseshme jo vetëm të institucioneve publike në integrimin e fëmijeve rom por edhe rastet e sukseshme të shoqërisë civile”. Ndër të tjera z. Sejdini i’u bëri thirrje të gjithë aktoreve për punë më konkrete për të rritur numrin e fëmijëve në institucionet arsimore.
Workshopi u ndal edhe në prezantimin e vëzhgimit “Aksesi i fëmijëve rom në shërbimet e fëmijërisë së hershme” për t’iu shpalosur aktorëve të pranishëm rezultatet dhe rekomandimet kryesore të studimit. Diskutimet më pas u ndalën dhë në disa çështje shumë të rëndësishme si: Regjistrimi i fëmijëve të komunitetit rom nëkopsht nga specialistja e DAR Elbasan, Znj. Eglantina Dedja, frekuentimi i sistemit parashkollor nga fëmijët si dhe shërbimet e reja që ofrohen për fëmijët e komunitetit rom në Qëndrën Komunitare Rome në lagjen 5-Maji; ecuria e proçesit të ndërgjegjësimit të komunitetit rom në lidhje me shëndetin nga znj. Helga Kongoli e DSHP; situata e mirëqënies së familjeve të komunitetit rom nga znj. Nadire Kreka, Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve-Bashkia Elbasan.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet kryesore të qytetit të Elbasanit ku mund të përmendim Bashkinë Elbasan, Njësinë për Mbrotjen e të Drejtave të Fëmijëve, Drejtoria Arsimore Rajonale Elbasan dhe Zyren Rajonale Arsimore Peqin, Zyra Rajonale e Shërbimit Social, Drejtoria e Shëndetit Publik, Këshilli i Qarkut, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare lokale, media, etj.
Workshopi u përqëndrua në diskutime të hapura mes pjesëmarrësve dhe konkludoi me ngritjen e çështjeve dhe një sërë rekomandimesh për adresimin e problematikave që has komuniteti rom në këtë qytet. Këshilli i Qarkut Elbasanit në mbyllje të takimit i shpalosi pjesëmarrësve vullnetin e këtij institucioni për të filluar punën e hartimit të “Planit të veprimit për komunitetin rom dhe egjiptian për Qarkun e Elbasanit” në konsultim me shoqërinë civile.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Mirgit VatajHRH, CRCA ShqipëriTel: 0695002024E-mail: mirgit.vataj@crca.al