Prezantohen rezultatet e “Vlerësimit të komunitetit për qeverisjen”
Tiranë, 8 Prill 2011 – Organizata të shoqërisë civile partnere të UN Women dhe UNDP që punojnë për arritjen e barazisë gjinore në Shqipëri, prezantuan sot në Tiranë rezultatet e ‘Vlerësimit të komunitetit për qeverisjen’. Ky projekt zbatohet për herë të parë dhe ka për qëllim identifikimin dhe prioritizimin e nevojave të komunitetit gra dhe vajza përmes vlerësimit dhe monitorimit të politikave të qeverisjes dhe partive politike në zbatim të kuadrit ligjor mbi arritjen e barazisë gjinore.i
‘Vlerësimi i komunitetit për qeverisjen” është zbatuar gjatë periudhës shtator 2010 – shkurt 2011 në 7 rajone të vendit: Kukës, Shkodër (përfshirë dhe Lezhën), Tiranë, Korçë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër. Përzgjedhja e rajoneve ka patur si qëllim një mbulim sa më të mirë gjeografik, duke mundësuar krahasimin e problematikave të rajoneve me njëri-tjetrin, por edhe në nivel kombëtar.
Të dhënat e mbledhura bazohen në realizimin në shkallë kombëtare të rreth 100 takimeve ku morën pjesë afro 2,000 votues dhe votuese, të cilëve iu kërkua të vlerësonin nga 1 (nota më ulët) deri në 5 (nota më e lartë) shërbimet e ofruara nga qeverisja vendore dhe politikat e partive politike në lidhje me pikat e parashtruara në Manifestin e Grave dhe Vajzave si më poshtë:
Pjesëmarrje dhe përfaqësim i barabartë politik dhe vendimmarrës
Politikat kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave
Politikat për përmirësimin e gjendjes ekonomike
Politikat për shërbimet sociale, kushtet shëndetësore dhe arsimimin
Në nivel kombëtar, notat më të ulëta në ‘Vlerësimin e komunitetit për qeverisjen’, i morën këto çështje:
Pjesëmarrja e ulët qytetare në vendimmarrjen publike të grave dhe vajzave;
Mungesa e strategjive për përfshirjen e grave dhe vajzave në vendimmarrjenpolitike;
Mungesa e punonjësve vendorë për kundër dhunës në familje në strukturën e qeverisjes vendore;
Mungesa e politikave specifike lokale që garantojnë riintegrimin e grave të dhunuara;
Mungesa e shpërndarjes së informacionit mbi njësitë mbështetëse ku duhet të drejtohen dhe kërkojnë mbështetje gratë në rast se përjetojnë dhunë;
Mungesa e qendrave rehabilituese për viktimat e dhunës dhe të trafikut;
Prania e dhunës në sistemin arsimor;
Mungesa e nismave lokale që nxisin punësimin e grave;
Mungesa dhe cilësia e ulët e shërbimit në çerdhet publike;
Mungesa e qendrave sociale në nivelin lokal;
Mungesa e ndriçimit të rrugëve parësore dhe dytësore në territorin e komunës;
Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm dhe cilësia e keqe e tij;
Mungesa e mbledhjes së plehrave në lagje.
Procesi i ‘Vlerësimit të komunitetit për qeverisjen’ është bazuar në një analizë të hollësishme të informacioneve të mbledhura nga qeverisja vendore, që përfshinin të dhëna sasiore mbi buxhetet vendore të vitit të kaluar dhe/ose strategji vendore apo rajonale. Sipas buxheteve të analizuara të pushtetit vendor në të shtatë rajonet, vetëm disa bashki kishin parashikuar shpenzime për shërbimet e detyrueshme të munguara. Përqindja e tyre ndaj totalit të shpenzimeve në buxhet në rastin më të mirë të mundshëm përbënte 1%-2% të tij (vetëm në disa zona urbane). Në zonat rurale buxhetet nuk parashikonin asnjë shpenzim që të mundësonte ofrimin e shërbimeve të detyrueshme për komunitetin. Në rastet kur pushteti vendor kishte hartuar strategji vendore, dhe objektivat e saj përfshinin aktivitete specifike, analiza tregon se mungonte planifikimi buxhetor dhe treguesit e monitorimit të arritjes së këtyre objektivave.
Analiza nxori në pah edhe nivelin e transparencës së pushtetit vendor ndaj zgjedhësve dhe shoqërisë civile duke krijuar një bazë të mirë pikënisjeje të llogaridhënies ndaj votuesve dhe fillimin e monitorimit të qeverisjes vendore në të ardhmen.
Rezultatet e ‘Vlerësimit të komunitetit për qeverisjen’ do të bëhen të ditura dhe publikohen në çdo rajon në datën 13 prill në një komunikim të drejtpërdrejtë me mediat. Gjithashtu ato do t’u prezantohen të gjithë kandidatëve të forcave politike që garojnë për zgjedhjet vendore të vitit 2011 me kërkesën për t’i bërë pjesë të programeve elektorale dhe pasi të zgjidhen pjesë të programeve të tyre të ardhshme në shërbim të komunitetit.
Ky proces ka bërë të mundur që shoqëria civile në çdo rajon të këtë një paketë treguesish (bazuar në nevojat parësore) për të monitoruar në të ardhmen, duke i përsëritur edhe për qeverisjen qendrore.
Për informacione të mëtejshme, lutem kontaktoni: Fiorela Shalsi
Koordinatore Kombëtare e Programit ‘Gratë dhe Zgjedhjet’ UN Women
Tel/Fax: +355 4 255 364
Email: fiorela.shalsi@unwomen.org
Address: Rr. ‘Papa Gjon Pali II’, P. 11/1,
Kati i 3-të, Ap. A B2, Tiranë, Albania.
i Baza ligjore ku mbështeten detyrimet e pushtetit vendor për të ofruar shërbimet ndaj qytetarit: Ligji Nr. 9970, datë 24.07.2008 “Për barazinë gjinore në shoqëri”, ka si qëllim që të sigurojë dhe përcaktojë përgjegjësitë për realizimin e barazisë gjinore në Shqipëri. Risitë që sjell ky ligj kanë të bëjnë me: krijimin e strukturave të reja politikbërës ne nivel vendor, ekzekutuese dhe mbrojtëse; parashikimi i masave të posaçme të përkohshme në vendimmarrjen politike e publike të parashikuara në formën e kuotës neutrale në masën jo më pak se 30%;
Ligji Nr. 9355 “Për shërbimet shoqërore dhe ndihmën ekonomike” ka qëllim mbrojtjen sociale dhe zbatimi i tij parashikohet te kryhet nga qeverisja vendore vendor duke ofruar shërbime sociale dhe të ardhura tek komunitetet më në nevojë;
Ligjin” Për dhunën në marrëdhëniet familjare”ka si qellim mbrojtjen e viktima të dhunës në familje dhe zbatimi tij bëhet nga qeverisja vendore, dhe parashikon ngritjen e një strehëze kombëtare për viktimat e dhunës në familje, rregullimin ligjor të sistemit të koordinuar të reagimit, etj.