Tiranë, 12 Shkurt 2012 – Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) publikoi sot Manualin “Mobilizimi dhe Angazhimi i Komunitetit për më shumë Përgjegjshmëri nga Vendim-marrësit”.

Altin Hazizaj, Drejtori i CRCA, tha: “Manuali do t’i shërbejë drejtpërsëdrejti organizatave dhe grupeve të aktivistëve të shoqërisë civile, që janë angazhuar në drejtim të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendim-marrje. Por gjithashtu do të jetë një burim i mirë informacioni për të gjithë qytetarët, insitucionet dhe grupet e interesuara.
Ky Manual synon të adresojë nevojën për të qartësuar, forcuar dhe dhënë shanse të barabarta çdo qytetari. Manuali ofron edhe mjete e teknika që mundësojnë mobilizimin dhe angazhimin e komunitetit lokal për të ndikuar mbi politikat lokale dhe monitoruar e kërkuar përgjegjshmëri nga vendim-marrësit.
“Manuali fokusohet tek mobilizimi social dhe angazhimi qytetar, pasi ato janë rrugë përmes të cilave kanalizohet përfshirja e qytetarëve në vendim-marrjet politike” shprehet ekspertja që punoi për përgatitjen e tij, znj. Etleva Bisha.
Përgatitja e këtij Manuali është produkt i një studimi cilësor të mbështetur mbi publikime në fushën e demokracisë me pjesëmarrje, si dhe të praktikave egzistuese që identifikojnë mekanizmat e përdorura për ta bërë të mundshme pjesëmarrjen e komuniteteve në vendim-marrje.
Manuali përmbledh tre pjesë kryesore: Pjesëmarrja në vendim-marrjen lokale. Të drejtat e komunitetit dhe përgjegjësitë e autoriteteve vendore; Mobilizimi social; Modeli i përfshirjes dhe ndikimit mbi politikat lokale; dhe pjese nga Ligji për Organizimin dhe Funksionimin e qeverisjes vendore si Aneks.
Ky manual u pergatit në kuadër të programit “Tirana: Qyteti im-Zëri im” zbatuar nga CRCA, me mbështetjen financiare të Olof Palme International Centerdhe SIDA Suedi. 


Detajet e Lajmit
February 12, 2013
297
Kategoria