Tiranë, 24 Janar 2023 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Shqipëri) është tepër e shqetësuar në lidhje me raportimet më të fundit në media në lidhje me humbjen e fëmijëve të huaj dhe të pashoqëruar, që hyjnë në mënyrë të parregullt apo që kërkojnë azil në Shqipëri. Sipas raporteve të bëra publike në media nga Policia e Shtetit, vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit, 36 fëmijë të huaj të pashoqëruar, të cilit ishin strehuar në një strehë jopublike për mbrojtje e kujdes, janë zhdukur në drejtim të paditur.

Në datë 18 Janar, programi investigativ Fiks Fare, transmetoi të dhëna dhe fakte tepër shqetësuese në lidhje me zhdukjen e fëmijëve nga një Qendër Sociale që administrohet nga Shoqata Nisma për Ndryshim Shoqëror-ARSIS dhe që financohet nga UNICEF Shqipëri. Programi investigativ ka arritur të intervistojë përfaqësues të shoqatës si dhe të Agjensisë Kombëtare për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Fëmijëve, të cilët pranojnë publikisht që fëmijët e huaj të pashoqëruar, shumica nga vende në konflikt si Siri dhe Irak, të vendosur në këtë qendër, janë zhdukur dhe nuk ka asnjë informacion në lidhje me jetën, gjendjen apo vendodhjen e tyre.

Fëmijët e pashoqëruar janë gjithnjë të rrezikuar për trafikim për qëllime seksuale, skllavërie apo edhe trafikim të organeve etj. Fakti që ata janë në Shqipëri të vendosur në një Qendër, me pëlqimin e autoriteteve shqiptare, që ka për qëllim sigurinë fizike, mbrojtjen dhe zhvillimin e tyre, tregon se autoritetet vendase dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë dështuar në mbrojtjen e jetës dhe mirëqenies së këtyre fëmijëve.

Konventa për të Drejtat e Fëmijës dhe Komenti i saj i Përgjithshëm Nr. 5 (2005), ku Shqipëria është shtet palë që prej vitit 1992, kërkon që shteti të marrë të gjitha masat që garantojnë “të drejtën e jetës, mbijetesës dhe zhvillimit” pa asnjë lloj diskriminimi për të gjithë fëmijët që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ligji për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës në Shqipëri (18/2017) garanton ndër të tjera (Neni 11/3): “Fëmija i pashoqëruar nga prindi ose kujdestari ka të drejtën e kthimit, në një kohë sa më të shpejtë pranë tyre. Kthimi në vendin e origjinës bëhet vetëm nëse është në interesin më të lartë të fëmijës….”

Nisur nga sa më sipër, CRCA/ECPAT Shqipëri, kërkon nga autoritetet përgjegjëse, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Prokuroria Tiranë si dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të hetojnë urgjentisht mbi humbjen e 36 fëmijëve që rezultojnë të zhdukur, ndërkohë që ne ftojmë Grupin Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” të Kuvendit të Shqipërisë që të organizojë një seancë të menjëhershmë degjimore në Kuvendin e Shqipërisë në lidhje me faktin se pse fëmijët e pashoqëruar të huaj, në mbrojtje të shtetit shqiptar, mund të humbasin apo zhduken dhe askush nuk jep llogari për ta.


Detajet e Lajmit
January 26, 2023
948
Kategoria