CRCA/ECPAT Shqipëri: Parlamenti ka humbur oponencën për përgatitjen e ligjeve cilësore, me pjesëmarrje dhe në dobi të qytetarëve!

Tiranë, 15 Tetor 2019 – CRCA/ECPAT Shqipëri, nëpërmjet kësaj thirrje të hapur publike, i kërkon të gjithë deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë të reagojnë në mënyrë urgjente për të mos-aprovuar Projekt-Ligjin e Rinisë, i cili mbetet ende një ndër projekt-ligjet më të dobëta dhe më të varfra në historinë e parlamentarizmit.
Komisioni për Edukimin dhe Informimin Publik diskutoi dje, një pjesë të nenve të Projekt-Ligjit të Rinisë, të propozuar nga Këshilli i Ministrave. Ndërsa Projekt-Ligji vijon të diskutohet ende në komisionin përgjëgjës, CRCA/ECPAT Shqipëri, si e vetmja organizatë që po ndjek këtë proces, shpreh shqetësimin e saj se ky ligj kërkon të vendosë nën diktatin e Qeverisë mbi 681,548 të rinj e të reja të moshës 15-29 vjeç në Shqipëri!
Referuar neneve të Ligjit të Rinisë që po diskutohet në Kuvend, shqetësimi ynë qëndron në faktin se:

Projekt-Ligji i Rinisë po vendos një diktat absolut të Ministrisë përkatëse ndaj të gjitha organizatave rinore;
Në nivel lokal të gjitha organizatat rinore vendosen gjithashtu nën kontrollin e plotë të kryetarëve të Bashkive;
Pavarësisht se Komisioni i Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë ka rekomanduar disa zgjidhje dhe përmirësime pozitive në tekstin rishikues të ligjit, theksojmë se ky ligj lë shumë vend për abuzime politike dhe nuk zgjidh problemet e të rinjve në Shqipëri;
 Ligji nuk adreson aspak një prej çështjeve më të prekshme që po përjeton Shqipëria vitet e fundit, atë të ikjes së trurit dhe forcës punëtore më aktive, rininë;
Në Ligjin e Rinisë nuk përcaktohet në asnjë moment buxheti për rininë si në nivel lokal dhe atë qëndror;
Mungojnë një sërë elementësh mjaft të rëndësishëm ndihmues për fuqizimin e rinisë në Shqipëri si Sektori i rinisë pranë çdo Bashkie, Qendrat Rinore, Komisioneri për të Drejtat e të Rinjve, koncepti i punonjësit të rinisë si dhe çfarë është puna me rininë dhe ku konsiston ajo.

Ky Ligj ju mohon gjithashtu të drejtën për rreth 255,689 studentë dhe nxënës të arsimit të mesëm dhe të lartë në Shqipëri, për të patur shërbimet rinore.
CRCA/ECPAT Shqipëri, i kërkon sot publikisht Parlamentit të Shqipërisë dhe të gjithë deputetëve të saj, të mos miratojnë këtë nismë ligjore, e cila shkel haptazi të drejtat e të rinjve në Shqipëri.
CRCA/ECPAT Shqipëri, do të kontaktojë në mënyrë urgjente delegacionin e BE-së, Ambasadën Amerikane në Shqipëri dhe çdo përfaqësi tjetër diplomatike në vend, për t’i shprehur shqetësimin e tyre për tendencën e vazhdueshme për të shkelur të drejtat e të rinjve në Shqipëri.  
PËR TË RINJTË! ME TË RINJTË! NGA TË RINJTË!


Detajet e Lajmit
October 15, 2019
360
Kategoria