FORUMI I HAPUR: “PROMOVIMI I KANDIDATEVE GRA PËR DEPUTETE NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE 2009”

Tiranë, 29 Maj 2009 – CRCA në bashkëpunim me Koalicionin për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, i cili është i përbërë nga një sërë organizatash të shoqërisë civile, që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të grave, të njeriut e fëmijëve në Shqipëri, organizoi sot Forumin e Hapur me temë: “PROMOVIMI I KANDIDATEVE GRA PER DEPUTETE NË ZGJEDHJET E ARDHSHME”. Forumi u mbështetet nga Olof Palme International Centre dhe UNIFEM Shqipëri.
Qëllimi i forumit ishte promovimi i kandidateve për deputete gra të të gjithë spektrit politik, përpara publikut të gjerë dhe më specifikisht përpara shoqërisë civile në Shqipëri, nëpërmjet prezantimit të platformave, ideve dhe synimeve të tyre si deputete të ardhshme.
“Pas kaq vitesh pune ne jemi krenarë që në Kuvendin e ardhshëm do të kemi dy deri tre herë më shumë gra deputeteve sesa në legjislaturën e kaluar.” – tha Altin Hazizaj, moderator i Forumit – “Kjo është një arritje së pari e vetë grave e vajzave dhe në të njëjtën kohë e të gjithë shoqërisë civile në Shqipëri.”
E ftuar speciale në këtë takim ishte znj. Tugba Kalafatoglu, nga organizata Vote, e cila ka punuar si këshilltare politike për Fushatën e Presidentit Amerikan, Barak Obama, gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA.
Në këtë takim morën pjesë kandidatet për deputete të të gjithë spektrit politik si nga PS, PD, PSD, LSI, PR, G99, LZHK etj., aktiviste të shoqërisë civile, OJF-ve, Medias, organizatave ndërkombëtare, etj.
Në Forum, përveç prezantimit te kandidateve dhe ideve të reja që ato sollën, u diskutua bashkarisht me të gjithë pjesmarrësit rreth çështjeve që prekin gratë dhe janë më prioritare për momentin, çështje të tilla si: dhuna ndaj grave / gjendja ekonomike / arsimimi / shërbimet sociale dhe shëndetësore për gratë.
Pas diskutimeve u dol me një serë konkluzionesh dhe rekomandimesh, për të cilat do të punohet për të gjetur zgjidhje nga kandidatet gra nëse ato do të jenë deputete të ardhshme. Ndër pikat me kryesore mbi të cilat do të punohët, përfshihen: rishikimi i ligjislacionit kundër dhunës në familje; zbatimi i ligjit kundër dhunës nga gjykatat, policia, qendrat shëndetësore e pushteti vendor; vendosja e burimeve financiare dhe njerëzore të mjaftueshme për zbatimin e ligjeve që mbrojnë të drejtat e grave; krijimi dhe zbatimi i politikave për punësimin e grave dhe vajzave sidomos atyre në nevoje; përmiresimi i sistemit të kopshteve dhe çerdheve për të lehtësuar përfshirjen e grave në tregun e punës; reformimi i skemave të mbrojtjes sociale; përmirësimi i infrastukturës për të rritur aksesin e vajzave në shkollë etj.
Pjesë e Forumit ishte edhe organizimi i një panairi të botimeve dhe publikimeve të OJF-ve dhe institucioneve publike mbi çështjen e pjesmarrjes së grave në vendim-marrje, politikë, shoqëri, tregun e punës etj. 


Detajet e Lajmit
May 29, 2009
247
Kategoria