Tiranë, 3 Tetor 2025 — CRCA-ECPAT Shqipëri, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Sllovenisë në Tiranë, prezantuan këtë të premte në Shtëpinë e Europës nismën e përbashkët “Të Drejtat Tona”, e cila synon të fuqizojë mësuesit e arsimit parauniversitar në Shqipëri për të informuar dhe mësuar fëmijëve të drejtat e tyre, bazuar në Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës.


Takimi prezantues u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, si Ministria e Arsimit, Agjensia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, përfaqësuesit e të cilave përshëndetën takimin, organizatave që punojnë për të drejtat e fëmijës, mësuesve dhe ekspertëve të arsimit.


Në hapje të aktivitetit Ambasadori i Sllovenisë në Shqipëri, z. Jakob Stunf, përshëndeti të ftuarit, duke e vendosur theksin tek rëndësia që ka mësimi i të drejtave, por edhe i përgjegjësive tek fëmijët, të cilët sot përballen me një realitet tjetër, që shpesh ndikohet nga bota virtuale.

Përfaqësuesit e CRCA Shqipëri prezantuan metodologjia e trajnimit “Të Drejtat Tona” për mësuesit, e cila shoqërohet nga Libri i Mësuesit dhe Letrat i të Drejtave për Nxënësit. Metoda është përgatitur nga znj. Blanka Jamnišek, Ambasadore e Ministrisë së Jashtme të Sllovenisë dhe eksperte e të drejtave të fëmijës.

Nisma “Të Drejtat Tona” ka për qëllim të zhvillojë kapacitetet e mësuesve për të integruar edukimin mbi të drejtat e fëmijëve në procesin mësimor. Pas trajnimit, mësuesit kthehen në klasat e tyre ku organizojnë orë të hapura dhe projekte, ku fëmijët do të diskutojnë për të drejtat themelore të tyre të përcaktuara në Konventën e të Drejtave të Fëmijës së OKB-së. Fëmijët pajisen me Librin e të Drejtave, që përmbledh njohuri për të drejtat bazë të fëmijëve.

Nëpërmjet kësaj nisme, CRCA-ECPAT Shqipëri dhe Ambasada e Sllovenisë synojnë të përhapin më gjerësisht kulturën e respektimit të të drejtave të fëmijëve, duke e bërë edukimin për të drejtat pjesë të përditshme të mësimdhënies dhe jetës shkollore.


Detajet e Lajmit
October 6, 2025
60
Kategoria